PROKURORI HEQ DORË NGA NDJEKJA PENALE PËR NJËRËN NGA TË AKUZUARAT PËR KORRUPSION

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të enjtën, në shqyrtimin e mbajtur ndaj Zelije Kashatanjeva dhe Vigane Kadrijaj të akuzuara për veprën penale në bashkëkryerje “shpërdorimi i pozitës apo autoritetit gjatë detyrës zyrtare”, prokurori Shukri Jashari, në fjalën përfundimtare ka hequr dorë nga ndjekja penale për të akuzuarën Kadrijaj, ndërkaq ndaj të akuzuarës Kashtanjeva ka ndryshuar aktakuzën.

Shqyrtimi i së enjtes ndaj dy të akuzuarave për shpërdorim të pozitës zyrtare në rastin e mbledhjes së mjeteve monetare për shërimin e Pranvera Kukës, ka vazhduar me deklarimin e prokurorit Shukri Jashari, i cili tha se ndryshimi i dispozitivit të aktakuzës sa i përket të pandehurës Zelije Kashatanjeva konsiston në atë sepse gjatë përiudhës kohore janar – mars të vitit 2009 në Ferizaj, si drejtoreshë e OJQ-së “Edhe ne jemi Kosovë” me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ajo e ka shpërdorur pozitën zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat sipas autorizimit. Sipas prokurorit, e akuzuara pasi ka marrë autorizimin për grumbullimin e mjeteve – parave nga prindi i Pranvera Kukës, Muhamet Kuka, organizata ka grumbulluar para në emër të Pranverës në shumë prej 24.508 euro. Nga kjo shumë një pjesë e parave prej 8700 eurove i janë dorëzuar babait të Pranverës, përmes llogarisë bankare, një pjesë tjetër e parave prej 4000 eurove të cilat kanë qenë të dedikuara për shërimin e saj, e pandehura Zelije Kashtanjeva pa pasur autorizim i ka shpërndarë skamnorëve për festën e Bajramit kurse nga shuma e përgjithshme janë tërhequr 6125 euro për shpenzimet e aktivistëve për shujta,transport dhe mëditje. Ndërsa, pjesa e mbetur nga shuma e përgjithshme prej 5675 euro është dashur t’i dorëzohej në llogarinë bankare në emër të Pranvera Kukës, mirëpo sipas prokurorit, e njëjta shumë është shpërdorur nga ana e të pandehurës Kashtanjeva me të cilën edhe ka kryer veprën penale “shpërdorimi i pozitës apo autoritetit gjatë detyrës zyrtare” nga neni 339 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq sa i përket të akuzuarës së dytë në këtë rast, Vigane Kadrijaj prokurori Jashari deklaroi se pas mbajtjes së shqyrtimeve gjyqësore dhe pas administrimit të provave dhe atë nga dëgjimi i dëshmitarëve dhe nga vetë deklaratat e të dy të pandehurave nuk është arritur të vërtetohet gjendja faktike me të cilën e akuzuara Kadrijaj ngarkohej, dhe për këtë në mungesë të provave prokuroi deklaroi se heq dorë nga ndjekja penale ndaj të akuzuarës Vigane Kadrijaj.

Ndryshimin e akuzës e pandehura Kashtanjeva e kundërshtoi duke thënë se nuk janë llogaritur si duhet të gjitha shpenzimet e kryera ndaj punëtorëve  të organizatës të cilën e udhëhiqte ajo, dhe atë për tre koordinatorët e shoqatës dhe tre kombi-taxi-t të cilët i kanë bartur aktivistët e OJQ-së me  rastin grumbullimit të të hollave për Pranvera Kukën. Po ashtu ajo deklaroi se nuk janë llogaritur rastet kur aktivistët kanë grumbulluar të holla në vendbanimet me minoritet serb, në valutë dinar e që sipas saj janë përllogaritur në euro. E akuzuara deklaroi se ato mjete të grumbulluara nuk janë shpërdorur nga ajo dhe kërkoi nga gjykata që t’a liroi nga akuza për këtë vepër që i ngarkohet.

Më fjalët përfundimtare të palëve përfundoi shqyrtimi gjyqësor, ndërsa pasi Kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi konstatoi se nuk është e nevojshme që të mirren prova të reja. Ai k anjoftuar palët se shpallja e aktgjykimit ndaj tani të akuzuarës së vetme Zelije Kashtanjeva do të bëhet të premten më 29 prill 2016 në ora 09:00.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë periudhës janar-mars 2009,në Ferizaj,në cilësinë e personave zyrtarë të OJQ-së “Edhe unë jam Kosovë”, me seli në Ferizaj, e pandehura e parë në cilësinë e drejtoreshës,kurse e pandehura tjetër në cilësinë e arkëtares, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, kanë shpërdorur detyrën e tyre zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat e tyre sipas autorizimit, në atë mënyrë që pasi kanë marrë autorizim për grumbullimin e mjeteve nga prindi i Pranvera Kukës, Muhamet Kuka. Pranvera vuante nga një sëmundje dhe në pamundësi që të siguroj mjete materiale vet për shërimin e saj jashtë vendit, aktivistët e OJQ “ Edhe unë jam Kosovë”  i kanë grumbulluar mjetet në emër të saj, shumën 20.000 eurove, të cilat para pastaj i kanë dorëzuar tek të pandehurat. Sipas aktakuzës, prej këtyre mjeteve një shumë simbolike i ishte dhënë Muhamet Kukës, kurse 3600 euro, e pandehura Zelije Kashtanjeva i’a kishte dhënë motrës së saj Zarije Bajramit, e cila gjendet në Zvicër, për tu kujdesur për Pranverën kur e njëjta të dërgohet atje për shërim, kurse për pjesën tjetër të parave nuk është mbajtur asnjë evidencë se ku janë shpenzuar.

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë