Prokurori heq dorë nga ndjekja penale ndaj të akuzuarit se dëmtoi rrjetin e kanalizimit që kalonte nga prona e tij

Gjykata Podujeve, 30
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Korrik 10, 2019

Podujevë – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit për veprën penale “asgjësim, dëmtim apo heqje të instalimeve publike”, Avdi Konushevci.

Një aktgjykimi i tillë, është shpallur nga gjykatësja e çështjes, Elheme Jashari, pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë, është tërhequr nga aktakuza në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, Komuna e Podujevës, si palë e dëmtuar, është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil, ndërsa shpenzimet e procedurës penale bien në barrën e mjeteve buxhetore të Gjykatës.

Prokurori i rastit Ali Ajdini, në seancën e së mërkurës, ka thënë se një veprim të tillë e ka marr pasi sipas tij, me asnjë provë nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer një vepër të tillë penale.

“Me asnjë provë që gjenden në shkresat e lëndës, nuk vërtetohet se i pandehuri e ka kryer veprën penale “asgjësim, dëmtim apo heqje të instalimeve publike” nga neni 366 par.1 të KPRK-së, sepse i pandehuri ka hequr dy puseta nga prona e tij, ndërsa për vendosjen e tyre Komuna nuk ka bërë kurrfarë marrëveshje me të pandehurin, për vendosjen e pusetave në pronën e tij. Në këtë rast eventualisht kemi të bëjmë me raport juridiko-civil, apo me shkaktim të dëmit material, e jo më vepër penale. Prandaj, konform nenit 52 të KPPRK-së tërhiqem nga ndjekja penale”, ka deklaruar prokurori Ajdini.

Në seancën e së mërkurës, ka munguar përfaqësuesi i Komunës së Podujevës.

Për këtë çështje penale, është mbajtur shqyrtimi fillestar, më 7 maj 2019, në të cilën i akuzuari Konushevci, ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 6 qershor 2018, Avdi Konushevci akuzohet se më 20 tetor 2014, në intervalin kohor mes orës 08:00- 20:00, në fshatin Llugë, Komuna e Podujevës, me dashje ka hequr dhe ka dëmtuar pajisjet e kanalizimit, konkretisht dy puseta, pronë e të dëmtuarës, Komunës së Podujevës.

Siç thuhet në aktakuzë, një veprim të tillë, ai e ka bërë në shenjë pakënaqësie se rrjeti i kanalizimit ka kaluar nga prona e tij, dhe se për një gjë të tillë nuk e ka pyetur askush.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, Komunës së Podujevës i është shkaktuar dëm në shumë prej 172.28 euro.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “asgjësimi, dëmtimi, ose heqja e instalimeve publike”, nga neni 366, paragrafi 1 i KPRK-së. /Betimipërdrejtësi