PROKURORI HEQ DORË NGA NDJEKJA PENALE E PREN KRASNIQIT, VAZHDON GJYKIMI NDAJ AZEM BAJRAMIT PËR MARRJE RYSHFETI

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën, ka vazhduar gjykimi ndaj Azem Bajramit dhe Pren Krasniqit, të akuzuar për dhënie, marrje ryshfeti dhe ushtrim të ndikimit. Dëshmon Leonard Hoxha.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur akatkuzë kundër të pandehurëve Azem Bajrami dhe Pren Krasniqi për shkak se i akuzuari Azem Bajrami në cilësinë e personit zyrtar Menaxher përgjegjës për menaxhimin e aseteve në KEK në periudhën kohore prej dhjetorit 2012 e deri më 11 prill 2013 në mënyrë të vazhdueshme ka marrë ryshfet nga tani i dëmutari Leonard Hoxhaj, pronar i NTSH “EGC”, kompani kjo e cila është marrë me shpërndarjën e rrjetit te internetit dhe rrjetit kabllovik në shumë prej 4,500.00 euro duke i premtuar se do t’i ndihmojë për dhënien e licencës për shtrytëzimin e aseteve të KEK-ut deri në momentin kur është arrestuar nga pjestarët e Policisë së Kosovës, ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe janë konfiskuar paratë e marrura.

Ndërkaq në janar 2012 i pandehuri Bajrami në cilësinë e lartëcekur akzuohet per ushtrim të ndikimit ndaj drejtorit menaxhues të kompanisë Kujtesa net Vijon Peja, në atë mënyrë pasi që ka kuptuar se në departamentin e financave është një vend i lirë për asistente, ai shume shpesh ka shkuar në zyrën e menaxherit Peja duke i bërë presion për ndërimin e shtyllave, ku edhe ka shkëputur rrjetin deri sa është punësuar vajza e tij Flora Bajrami.

I pandehuri Pren Krasniqi akuzohet për dhënie ryshfeti ku në vazhdimsi i ka dhënë ryshfet të pandehurit Azem Bajrami pasi që ky i fundit nëpërmjet Leonard Hoxhajt ka kërkuar shumën e parave me qëllim që t’i lejoj të pandehurit Pren Krasniqi shfrytëzimin e aseteve të KEK-ut, duke shpërndarë rrjetin e internetin në shtyllat e Kekut.

Shadije Gërguri, kryetare e trupit gjykues ka vazhduar seancen me dëgjimin e dëshmitarit Leonard Hoxha. Gjatë marrjes në pyetje, dëshmitari Hoxha ka sqaruar veprimtarinë e tij të punës si operator për shërbimin e internetit. Ai bëri të ditur se me të akuzuarin Pren Krasniqi kanë punuar së bashku, ku ky i fundit ka mbuluar komunën e Gjakovës.

Tutje, Hoxha bëri të ditur se nga Krasniqi ka pranuar shumën prej 1500 eurove për të i’a dërguar më pas të akuzuarit Azem Bajramit. Ai tregoi se ka ekzistuar procedura e përpilimit të kërkesës për shfrytëzimin e aseteve të KEK-ut, për shpërndarjen e rrjetit nëpër shtylla, e cila kërkesë është kontrolluar nga Bajrami. Më pas Hoxha tha se këto kërkesa i kanë dërguar në KEK, mirëpo Bajrami asnjëherë nuk i ka lejuar të kenë qasje brenda në zyre duke pranuar kërkesën dhe duke i detyruar të paguajnë shumën e caktuar për vazhdimin e punës.

Ai gjithashtu deklaroi se në momentin kur ka pranuar shumën e të hollave prej 1500 eurove, rasti ka qenë duke u zhvilluar në polici, prandaj ai mbetet në tërësi pranë deklaratave të cilat i ka dhënë në vitin 2012.

Prokurori i rastit, Ilaz Beqiri, deklaroi se tërhiqet nga ndjekja penale ndaj Pren Krasniqit, i cili është ngarkuar për veprën dhënie ryshfeti pasi që u vërtetua se i akuzuari së bashku me dëshmitarin Leonard Hoxha kanë bashkëpunuar dhe se rasti ka qenë duke u zhvilluar në polici.

Tutje, prokurori i propozoi gjykatës që i pandehuri Azem Bajrami të shpallet fajtor, dhe të njëjtit t’i shqiptohet një dënim duke e marrë si rrethanë lehtësuese faktin që ai ka pranuar fajësinë për veprën marrje ryshfeti.

Mbrojtësi i të akuzuarit Azem Bajrami, avokati Behar Ejupi, deklaroi gjthashtu që të merret parasysh fakti se i mbrojturi i tij ka pranuar fajësinë për të njëjtën vepër në shqyrtimin fillestar dhe se nuk ka qenë asnjëherë i gjykuar më parë. Prandaj i propozoi gjykatës që t’i shqiptohet dënim me kusht konform nenit 41 të KP-së, paragrafi 1.1.

Gjykata caktoi shpalljen e aktgjykimit më 12 prill, në ora 13:00.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë