Prokurori Hardaway pajtohet me disa propozime të avokatit ndërkombëtar Karim Khan në rastin MTPT, të njëjtat propozime i kishte injoruar vazhdimisht nga avokatët vendës

Raporton: Bukurezë SURDULLI

Prishtinë – Disa mosmarrëveshjeve në mes mbrojtësve dhe prokurorit të çështjes në rastin MTPT, u erdhi fundi. Me një propozim të avokatit mbrojtës të të akuzuarit, Fatmir Limaj, Karim Khan, prokuroria dhe pala mbrojtëse u pajtuan që provat të cilat Gjykata e Apelit i kishte shpallur të papranueshme, të hiqen nga aktakuza dhe të mos përdoren gjatë gjykimit. Në këto prova, ishte e përfshirë dëshmia e një ndër dëshmitarëve me kryesor në këtë rast, dëshmia e të ndjerit Mehmet Shkodra, e dhënë në Agjencionin Kundër Korrupsion. Shkodra kishte ndërruar jetë në vitin 2010 në një aksident trafiku jashtë Kosovës.

Prokurori Hardaway tha se ato prova do t’i përdorë si refernca por nuk do t’i prezantoj ato audio apo incizime në gjykatë. “Duke e rishikuar rastin dhe shkresat e lëndës se bashku me asistentët, prokuroria nuk mund të vazhdoj më tutje me paraqitjen e tyre dhe nuk do të tentoj që të paraqes diçka nga lista e asaj që është ç ‘kyçur apo mënjanuar me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit”, u shpreh Hardaway.

Për të qartësuar më shumë situatën e re, Hardaway rekomandoi që avokati Khan ta paraqes propozimin e tij para trupit gjykues.

Avokati i Limajt, Karim Khan tha se kjo aktakuzë duhet të ri-lëshohet, duke hequr nga aktakuza provat të cilat janë cilësuar si të papranueshme me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit. “Thjesht është një fshirje e disa gjërave që nuk është dashur të jenë aty fare sipas Gjykatës së Apelit”, tha Khan. Ai poashtu u shpreh se është i kënaqur që kërkesa e tij është pranuar nga ana e prokurorisë. “Falenderoj prokurorin Hardaway për mënyrën se si ju ka qasur çështjes. Tani do të ketë më pak nxehtësi në gjykatë”, u shpreh avokati.

Kërkesa dhe propozime të tilla kishte pasur edhe më herët nga ana e mbrojtjes, përkatësisht nga avokati Tahir Rrecaj, i cili përfaqëson bashkë më Khan ekipin e mbrojtjes së Fatmir Limajt. Mirëpo, kërkesa e tij mbeti e paplotësuar derisa ekipit të mbrojtjes ju bashkëngjit avokati Karim Khan, i cili morri përgjigje pozitive nga ana e prokurorisë.

Lidhur me të gjitha këto që u than para trupit gjykues, kryetarja e këtij trupit Maria Tuma, do të vendosë ne seancën e nesërme.

Poashtu, në seancën e nesërme pritet që ky trup gjykues të vendosë edhe për fatin e avokatëve të të  akuzuarve në këtë rast, Nexhat Krasniqi dhe Endrit Shala. Këta të fundit janë duke u përballur me dilema rreth përfaqësimit të tyre juridik në gjykatë.

Në seancën e datës 13 shtator, prokurori Charles Hardaway kishte kërkuar diskualifikimin e mbrojtësit të Nexhat Krasniqit, avokatit Florent Latifaj, nga ky rast. Sipas tij, avokati Florent Latifaj nuk mund të mbroj Nexhat Krasniqin në këtë rast dhe Adem Grabovcin në një rast tjetër. Kjo për shkak se Grabovci do të thirret në cilësi të dëshmitarit në rastin MTPT, dhe duke qenë avokat i të akuzuarit e i dëshmitarit, ka konflikt interesi.

Poashtu gjatë seancës së mbajtur më 13 shtator, u diskutua edhe pozita e Florent Latfajt si këshilltar i jashtëm i Ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ndaj të cilit u kërkua që të sjellë dëshmi se heqë dorë nga kjo pozitë. Kjo për shkak se Ministria e Drejtësisë është përfaqësuese e palës së dëmtuar në këtë rast. Latifaj në seancën e së enjtes ka sjellë një letër të Ministres Hoxha, e cila pranon dorëheqjen e Latifajt nga pozita e këshilltarit të jashtëm të saj. Mirëpo, sipas prokurorit Hardaway, çështja e konfliktit të interesit mbetet ende, i cili pretendim u kundërshtua nga avokati Florent Latifaj. Sipas tij, pretendimet e prokurorit janë vetëm spekulime për shkak se Grabovci dhe Krasniqi po akuzohen për dy lëndë të ndryshme dhe të ndara. “Këtu jam për me mbrojtë Nexhat Krasniqin. Këtu do ta mbroj vetëm këtë sepse ky proces nuk lidhet me atë proces. Nuk e dimë as a do të ketë aktakuzë në rastin e Grabovcit”, tha Latifaj. Por ndryshe pretendonte prokurori sipas të cilit këto dy raste janë të ndërlidhura mes vete. “Hetimet ndaj Grabovcit janë ngritur për çështjet që kanë të bëjnë me këtë rast. Nëse Latifaj po thotë që s’ka asnjë lidhje kjo është e pasaktë”, reagoi prokurori.

Probleme me përfaqësimin në gjykatë pati edhe i akuzuari Endrit Shala. Në seancën e djeshme, avokati Arianit Koci ka deklaruar se tërhiqet nga mbrojtja e Shalës, për arsye të tyre të brendshme. Me këtë rast, sot gjykata i ka caktuar Shalës avokatin Feti Limani, i cili nuk është i familjarizuar ende me lëndën. Madje ai deklaroi që Oda e Avokatëve nuk e kishte njoftuar se në cilën lëndë do të marrë pjesë. Për arsye të përgatitjes së avokatit Limani, gjyqtarja e EULEX-it Maria Tuma, tha që Koci duhet të qëndroj në disa seanca së bashku më Limanin derisa ky i fundit të informohet rreth lëndës. Mirëpo, një gjë e tillë u kundërshtua nga avokati Arianit Koci, i cili kërkoj t’i jepet një kohë e caktuar, përafërsisht më shumë se dy javë, në mënyrë që ta pajisë me shkresa dhe ta njoftoj avokatin e ri rreth lëndës.

Për përfaqësimin e Nexhat Krasniqit nga avokati Florent Latifaj dhe për aprovimin e kërkesës së avokatëve Feti Limani dhe Arianit Koci që tu jepet kohë për përgatitje të lëndës, gjykata pritet që të vendosë të nesërmen, më 16 shtator.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së  Kosovës përfshihen pesë persona të akuzuar për keqpërdorime, marrje e dhënie ryshfeti dhe vepra të  tjera, lidhur me disa tenderë që lidhen me ish Ministrinë e Transportit dhe Post Telekomunikacionit (MTPT).

Ndër ta janë ish Ministri i MTPT-së, Fatmir Limaj, ish-Drejtori i prokurimit Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe Florim Suka.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë