Prokurori Hardaway: Florent Latifaj avokat i Nexhat Krasniqit dhe Adem Grabovcit – të përjashtohet nga rasti “MTPT” për shkak të konfliktit të interesit, Latifaj thotë se kjo është lojë e ping pongut

Raporton: Bukurezë SURDULLI

Prishtinë – Në seancën e mbajtur për rastin e njohur si “MTPT” ku i akuzuar është Fatmir Limaj, prokurori i çështjes, Charles Hardaway, kërkoi përjashtimin e avokatit Florent Latifaj. Ky i fundit në këtë rast tash e dy muaj përfaqëson të akuzuarin Nexhat Krasniqi, por njëkohësisht përfaqëson edhe Adem Grabovcin në rastin tjetër të njohur si “rasti Pronto”. Ndërkaq, Grabovci në të njëjtën kohë është dëshmitar i propozuar nga ana e prokurorisë në rastin “MTPT”, i cili ka ushtruar pozitën e zëvendës ministrit në Ministrinë e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit. Prandaj, sipas prokurorit Hardaway kjo gjë paraqet konflikt interesi. “S’po e them që Latifaj e ka bërë këtë me keqdashje. Ai e përfaqëson një dëshmitar të prokurorisë duke e përfaqësuar njëkohësisht një prej të pandehurve, është e qartë që ky veprim paraqet konflikt interesi”, tha Hardaway.

Po sipas Latifaj një gjë e tillë e thënë nga prokurori nuk ka bazë ligjore, duke i quajtur pretendimet e tij si paragjykime për të ardhmen. “Kjo është paragjykim komplet i asaj që ka me ndodhë në të ardhmen. Çka nëse prokuroria do t’i pushoj hetimet ndaj Grabovcit, a mundem me u kthy prapë unë këtu në këtë rast? A po lujmë ping-pong? Cili është konflikti i interesit këtu?” u shpreh Latifaj.

Lidhur me të tëra këto, Latifaj propozoi që të mos jetë prezent në seancë në kohën kur Adem Grabovci do të merret në pyetje si dëshmitar në këtë rast, mirëpo sipas prokurorit një gjë e tillë nuk do të ishte zgjidhja e duhur.

Dyshimet e prokurorit për ligjshmërinë e angazhimit të Latifajt si mbrojtës i Nexhat Krasniqit, u rritën edhe pas një çështje tjetër që u ngrit nga kryetarja e trupit gjykues, Maria Tuma. Gjyqtarja e EULEX-it kërkoi nga avokati Florent Latifaj të sqaroi nëse ky i fundit është edhe këshilltar i jashtëm në Ministrinë e Drejtësisë, që në këtë rast kjo ministri është përfaqësuese e palës së dëmtuar.

Sipas avokatit Latifaj, as këtu nuk ka asnjë konflikt interesi për shkak që ai deklaroi që nuk e përfaqëson Ministrinë e Drejtësisë, mirëpo është këshilltar i jashtëm vetëm i ministres së drejtësisë, e jo i ministrisë si institucion. “Unë nuk jam pjesë e Ministrisë, as nuk e përfaqësoj atë, as nuk do ta përfaqësoj në të ardhmen, dhe as nuk është Ministria e Drejtësisë palë e dëmtuar por veç e përfaqësoj palën e dëmtuar”, tha Latifaj. Madje ai u deklarua para trupit gjykues që është i gatshëm të heqë dorë nga këshillimi i ministres së drejtësisë, dhe ta përfaqësoj Nexhat Krasniqin në këtë rast.

Pas këtij deklarimi, gjyqtarja Maria Tuma, kërkoi nga avokati Florent Latifaj që në seancën e radhës, e cila do të mbahet të nesërmen më 14 shtator, ta sjellë një dokument në të shkruar që tregon se ai nuk do të jetë më i përfshirë në Ministrinë e Drejtësisë. Pas dakordimit me avokatin në fjalë, dhe pas dorëzimit të një dokumenti të tillë, të nesërmen gjykata do të vendos rreth përfaqësimit të Latifajt për të pandehurin Nexhat Krasniqin.

Në këtë seancë gjyqësore ishte e paraparë që të dëgjohej dëshmitari Ekrem Demolli, zyrtar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, mirëpo për shkak të një situate të tillë, dëshmitari pritet të dëgjohet më 14 shtator.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së  Kosovës përfshihen pesë persona të akuzuar për keqpërdorime, marrje e dhënie ryshfeti dhe vepra të  tjera, lidhur me disa tenderë që lidhen me ish Ministrinë e Transportit dhe Post Telekomit (MTPT).

Ndër ta janë ish Ministri i MTPT-së, Fatmir Limaj, ish-Drejtori i prokurimit Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe Florim Suka.

 

 

 

 

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë