Prokurori do të japë mendim rreth çështjes së përjashtimit të kryetares së trupit gjykues nga rasti “Medicus”, shtyhet gjykimi

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Prishtinë – Pas 1 viti e 8 muaj nga seanca e fundit, të enjten u mbajt seanca e radhës në rastin e njohur si “Medicus”, e cila u ndërpre pasi që prokurori i rastit Burim Ҫerkini ka thënë se për çështjen e përjashtimit të  kryetares së trupit gjykues Nushe Kukaj-Mekaj do të japë mendim me shkrim.

Në këtë rast, urologut Lutfi Dervishi dhe djalit të tij, Arban Dervishi, po ngarkohen se në bashkëkryerje kishin kryer veprat penale të krimit të organizuar dhe trafikimit me qenie njerëzore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Para fillimi të seancës, kryetarja e trupit gjykues Kukaj-Mekaj i ka njoftuar palët se kërkesa e saj për përjashtimin nga ky gjykim, është refuzuar nga ish-kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi.

Pas kësaj, prokurori Ҫerkini ka thënë se sipas mendimit të tij, çështja e përjashtimit duhet të vlerësohet edhe njëherë për hir të procedurës.

Pavarësisht se kemi pranuar një vendim për mospërjashtim nga ana e ish-kryetares së kësaj gjykate, pa dashtë që kjo të kuptohet si prolongim i seancave, mirëpo unë mendoj që çështja e përjashtimit të vlerësohet edhe njëherë për hir të procedurë, dhe asaj që do të ndodhë gjatë asaj procedure”, ka thënë prokurori Ҫerkini.

Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Lutfi Dervishi, avokati Besnik Berisha ka thënë se çështja e përjashtimit të kryetares së trupit gjykues, duhet të shqyrtohet edhe një herë.

“Jam i vetëdijshëm se prokuroria ka parë që kjo është çështje e vdekur dhe aktgjykim duhet të jetë lirues, dhe kjo mund të jetë një nga arsyet, ku një çështje kundër të cilës nuk lejohet ankesë, të vlerësuar jo vetëm nga kryetarja e gjykatës, por edhe rrethanat tjera të këshillit, mendoj se duhet të shqyrtohet edhe njëherë”, ka thënë Berisha.

Berisha tutje ka shtuar se nuk iu duhet një trup gjykues që i favorizon, por një që i mbron të drejtat e palëve.

“Prej këtu e në Ukrainë merrni çfarë trupi gjykues të doni, se neve nuk na duhet një trup gjykues që na favorizon, por na duhet një trup gjykues që i mbron të drejtat e secilës palë në procedurë dhe që i detyron ata që e kanë obligim ligjor prezantimin e dëshmitarëve ose heqjen dorë nga ata, kushte të njëjta të marrjes në pyetje siç kanë pas prokuroria duke korruptuar ata me premtime se do të japin shuma marramendëse në rast se vijnë për ta provuar teorinë e Dick Martyt se gjoja se në Kosovë ka pas një kasaphane ku janë trafikuar organet e personave, siç ata pretendojnë, të varfër e në nevojë”, shtoi Berisha.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Arban Derivishi, Ilir Gashi ka thënë se interesi i tyre është që kjo çështje të mos prolongohet.

“Interesi i të mbrojturit tim është që kjo procedurë penale të mos neglizhohet dhe në rastin konkret duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me një çështje tashti e 10 vite të jetë një gjykim i drejtë, e që në rastin konkret kemi parasysh edhe mos sigurimin e dëshmitarëve nga prokuroria, e gjitha kjo do të përmbyllej me një aktgjykim lirues”, ka deklaruar ai.

Pas kësaj, pas bisedimit me kryetaren e kësaj gjykate Albina Shabai-Rama, kryetarja e trupit gjykues Kukaj-Mekaj ka thënë se prokurori duhet të japë arsye se pse mendon që duhet të përjashtohet kryetarja e trupit gjykues nga ky gjykim.

Pas kësaj, prokurori Ҫerkini ka deklaruar se mendimin e tij për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues do ta japë me shkrim, duke shtuar se nuk është duke propozuar përjashtimin e saj, por vetëm do të japë mendim.

“Mendimin e paraqesim me shkrim, jo si kërkesë, por si mendim”, tha ai.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues Kukaj-Mekaj e ka ndërprerë seancën, ndërsa ka thënë se varësisht nga vendimi i kryetares së gjykatës do të caktohet seanca e radhës.

Ndryshe, seanca e fundit është tentuar të mbahet më 1 mars 2022, por e njëjta ishte anuluar për shkak të grevës së administratës së gjykatës, ndërsa e fundit në këtë rast është mbajtur më 27 tetor 2020, respektivisht para 1 viti e 8 muajve.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 15 tetor 2010, konkretisht prokurori Jonathan Ratel, kishte ngritur aktakuzë kundër urologut Lutfi Dervishi, djalit të tij Arban Dervishi, mjekëve Driton Jilta dhe Sokol Hajdini, si dhe ish-sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj.

Pas 5 ditësh, më 20 tetor, ishte ngritur aktakuzë edhe kundër mjekëve Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla. Që të dyja këto ishin bashkuar në një aktakuzë të vetme më 29 nëntor 2010 dhe janë konfirmuar më 27 prill 2011.

Shqyrtimi kryesor për këtë rast kishte filluar më 4 tetor 2011. Ndërkaq, më 22 mars dhe 17 prill 2013, ishte bërë  ndryshimi dhe zgjerimi i aktakuzës në fjalë.

Kurse, pas 106 seancave gjyqësore të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë më 29 prill 2013, Lutfi Dervishin e kishte dënuar me 8 vjet burg dhe 10 mijë euro për “trafikim me njerëz në bashkë-kryerje” dhe “krimit të organizuar”, ndërkaq u refuzuan akuzat për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”, “lëndim të rëndë trupor”, “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve”.

Të njëjtit iu shqiptua edhe dënimi plotësues i ndalimit nga ushtrimi i profesionit të urologut në kohëzgjatje prej dy vitesh. Për të njëjtat vepra penale u dënua edhe djali i tij Arban Dervishi, me 7 vjet e 3 muaj burg dhe me 2 mijë e 500 euro gjobë. Ndërkaq, i njëjti u lirua nga akuzat për “lëndim të rëndë trupor”, kurse akuzat për “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve” u refuzuan.

Sokol Hajdini ishte liruar nga akuza për “krim të organizuar”, por ishte dënuar për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, me 3 vjet burg. Ndaj të njëjtit, u shqiptua edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të profesionit të anesteziologut në kohëzgjatje prej 1 viti.

Kurse, akuzat për “trafikim me njerëz” dhe “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”, u refuzuan.

Anesteziologët Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla, për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, u dënuan me burgim me kusht për një vit, ndërkaq ndaj tyre u refuzua akuza për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”.

Në fund, ish-sekretari permanent në Ministrinë e Shëndetësisë (MSh), Ilir Rrecaj u shpall i pafajshëm për “shpërdorim të pozitës zyrtare apo autorizimeve”, përderisa akuza për “falsifikim të dokumenteve zyrtare” u refuzua. Ndërkaq, Driton Jilta i pati shpëtuar dënimit, pasi veprat për të cilat ai akuzohej “ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë njerëzore” dhe “shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimeve” ishte vjetërsuar.

Tutje, me 25 nëntor 2013, Gjykata Themelore urdhëroi mbylljen dhe konfiskimin e Klinikës “Medicus”.

Ndaj këtyre dy vendimeve, mbrojtësit e pesë të dënuarve dhe prokurori kishin paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila më 6 nëntor 2015, kishte vërtetuar dënimet e të pandehurve dhe kishte liruar objektin e klinikës “Medicus”, me arsyetimin se nuk ka bazë për konfiskim.

Apeli, Arban Dervishin nga 7 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë, e kishte dënuar me 8 vjet burgim, si dhe Sokol Hajdinin nga 3 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë vetëm për “lëndim të lehtë trupor”, ishte dënuar me 5 vjet burgim, duke u shpallur fajtor edhe për “krim të organizuar”. Ndërkaq, dy të dënuarit me kusht nga shkalla e parë, Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla, ishin shpallur të pafajshëm nga shkalla e dytë.

Ndërsa, më 5 prill 2016, mbrojtësi i Lutfi Dervishit, avokati Linn Slattengren kërkoi nga Supremja të pezullojë zbatimin e aktgjykimeve të kundërshtuara, e cila kërkesë ishte refuzuar më 16 prill të po atij viti. Njëkohësisht me kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë, Sokol Hajdini dhe Lutfi Dervishi kishin parashtruar ankesa kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Me një vendim të marrë më 26 maj 2016, Gjykata Supreme, kishte hudhur ankesën e Dervishit si të palejuar.

Ndërkaq, me 20 shtator, kjo gjykatë mori aktgjykim lidhur me ankesat e parashtruara nga Sokol Hajdini dhe avokati i tij mbrojtës, sipas të cilit Hajdini lirohet nga akuza e “krimit të organizuar”. Ndërkaq, iu vërtetua dënimi sa i përket veprës penale “lëndim i rëndë trupor” dhe kohëzgjatja e burgimit u ndryshua në tre vjet.

Kundër këtij aktgjykimi, më 2 nëntor 2016 dhe 30 nëntor 2016, Sokol Hajdini dhe Kryeprokurori i Shtetit kanë paraqitur kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Sa i përket këtij rasti, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për Lutfi dhe Arban Dervishin, pas arratisjes së tyre nga ekzekutimi i dënimit, pas vërtetimit të formës së prerë të aktgjykimit nga Gjykata e Apelit.

Rasti “Medicus”, ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme, ndërsa në seancën e parë të këtij rigjykimit në vitin 2017, ishte veçuar procedura ndaj Arban Dërvishit, pasi i njëjti gjendej në arrati.

Pas kthimit në rigjykim, kryetare e trupit gjykues ishte Francesca Fisher, ndërsa prokurore Valeria Bolici, që të dyja pjesë e misionit të EULEX-it.

Në seancën e 6 korrik 2017, Lutfi Dervishi ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat e trafikimit me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa i pafajshëm për akuzat për lëndim të rëndë trupor, është deklaruar edhe mjeku anesteziolog, Sokol Hajdini.  Në rigjykim të parë në këtë rast, ishin mbajtur mbi 30 seanca gjyqësore.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në maj të vitit 2018, Lutfi Dervishin e kishte shpallur fajtor për veprat penale, krim i organizuar dhe trafikim me qenie njerëzore dhe të njëjtin e kishte dënuar me shtatë vjet e gjashtë muaj burgim, si dhe 8 mijë euro gjobë. Kurse, anesteziologu Sokol Hajdini, për lëndim të rëndë trupor ishte dënuar me një vit burgim.

Mjekut Dërvishi, i ishte ndaluar edhe ushtrimi i profesionit të urologut prej dy vjetësh nga koha kur dënimi me burg është kryer, kurse në dënimin e shqiptuar, do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 4 nëntori 2008 deri me 3 dhjetor 2008, si dhe 10 janar 2017 deri në ditën kur ky aktgjykim bëhet i formës së prerë.

Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin për të akuzuarin Lutfi Dervishi, duke e kthyer lëndën në rigjykim, ndërsa për të akuzuarin Sokol Hajdini e kishte refuzuar akuzën për shkak të  parashkrimit absolut të veprës penale.

Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë ishte përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se dispozitivi i aktgjykimit nuk ishte i qartë dhe nuk përshkruan veprimet inkriminuese konkrete të të akuzuarit Dervishi në raport me provat e administruara dhe të cilat është mundësuar t’i arsyetojë gjykata e shkallës së parë. Në këtë aktvendim thuhet se nuk është përcaktuar as shuma e dobisë pasurore të përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga grupi i organizuar apo pjesa e dobisë pasurore e të akuzuarit Lutfi Dervishi dhe se në raport me dëshmitarët e mbrojtur nuk përmendët emri e as veprimet e të akuzuarit Dervishi.

Pas kthimit të këtij rasti në rigjykim vetëm për të akuzuarin Lutfi Dervishi, kryetare e trupit gjykues ishte caktuar gjykatësja Nushe Kuka – Mekaj, e cila procedurën penale të Lutfi Dervishit ka bashkuar edhe me atë të djalit të tij, Arban Dervishi, që në gjykimin e mëparshëm ishte veçuar procedura ndaj tij, për shkak se ndodhej në arrati.

Në seancën e 20 janarit 2020, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, duke iu referuar cilësimit juridik të veprave penale, në këtë seancë kishte thënë se ka gjetur se të akuzuarit ngarkohen për veprën penale të krimit të organizuar, në drejtim të veprës penale të trafikimit me qenie njerëzore të kryer në bashkëkryerje, ashtu që ka kërkuar nga prokurori special Agron Bajrami, nëse kishin të bëjnë me veprën penale krim të organizuar apo me bashkëkryerje, ngase sipas gjykatëses Kuka-Mekaj, këto përjashtojnë njëra tjetrën.

Gjithashtu, ajo kishte kërkuar që PSRK të përcaktojë se si duhet të procedohet me dëshmitarët e mbrojtur, në mënyrë që gjykata të fillojë bashkëpunimin juridik ndërkombëtar prej zyrës së EULEX-it, që të mund t’i dëgjojë këta dëshmitarë përmes video-linkut. Por, sipas saj, këta dëshmitarë duhet të ndahen, pasi aktakuza në këtë rast po zhvillohet vetëm për shtatë transplantime.

Ndërkaq, rigjykimi në këtë rast kishte filluar me 27 tetor 2020, ku palët në procedurë kishin dhënë fjalët e tyre hyrëse/BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë