Prokurori Besim Kelmendi: Aktakuzat e këqija mos të shkojnë në shqyrtim gjyqësor

betimi per drejtesi
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Prill 30, 2021

PrishtinëProkurori në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit,  Besim Kelmendi, ka kërkuar që fare të mos shkojnë në shqyrtim gjyqësor aktakuzat e këqija pasi të njëjta po dështojnë pastaj në procedura tjera. 

Në konferencën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi me temën “Luftimi i korrupsionit me dënime me kusht dhe gjobë – Raporti i monitorimit vjetor të trajtimit të rasteve të korrupsionit në sistemin e drejtësisë në Kosovë”, Kelmendi ka thënë se njëra prej shkaqeve që po dështojnë aktakuzat për korrupsion është fakti se aktakuzat po ndërtohen keq.

Sipas tij, nëse aktakuzat e këqija nuk do të shkonin në shqyrtim gjyqësor do të kursehej buxheti dhe nuk do të kishte humbje kohe për procese gjyqësore që përfundojnë me aktgjykime liruese, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka thënë se habitet se si gjykatat pranojnë aktakuzat e ngritura keq nga prokurorët.

“Nëse provat janë të paprovuara, gjykata e ka mundësinë të mos lejoj fare të shkojë, do kursente kohën e gjykatë, buxhetin dhe do ishte humbje kohe”, ka thënë Kelmendi.

Kelmendi ka kërkuar të publikohen aktakuzat për korrupsion pavarësisht se një kërkesë e tillë ishte edhe e shoqërisë civile.

“Unë nuk e shoh ndonjë problem me publikimin e aktakuzave. Unë gjithmonë kam pas qëndrim se duhet t’i bëj publike, por për fat te keq kodi i ri nuk e ka përfillë as mendimin tim as te shoqërisë civile”, ka thënë Kelmendi.

Ndryshe, në gjetjet e raportit të IKD-së, gjatë procesit të monitorimit sistematik të sistemit të drejtësisë, prej 1 janarit e deri më 31 dhjetor 2020, ka bërë gjithsej 583 kërkesa për qasje në dokumente publike, në gjykata, prokurori KGJK, KPK dhe institucionet të tjera.

IKD ka gjetur raste kur PSh njofton vetëm përmes komunikatave për media dërguar në adresat elektronike të mediave, por jo edhe duke e publikuar njoftimin ne faqen zyrtare. Mirëpo, ka edhe raste kur nuk njofton fare për ngritjen e një aktakuzë për korrupsion, për të cilat monitoruesit e IKD-së raportojnë përmes faqes “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, në drejtim të matjes së transparencës, IKD ka analizuar edhe publikimin e aktgjykimeve në rastet e korrupsionit, obligim ky ligjor për të gjitha gjykatat. Bazuar në monitorimin e IKD-së, nga 114 aktgjykimet e shpallura ndaj 165 personave, IKD ka gjetur se gjykatat në nivel vendi nuk kanë publikuar aktgjykimet ndaj 118 personave apo 71.52%, ndërsa i kanë publikuar vendimet e tyre vetëm ndaj 47 personave apo 28.48%. Një nivel i tillë i (mos) publikimit të aktgjykimeve nga ana e gjykatave, përkatësisht (mos) përmbushjes së obligimit ligjor, nuk shënon fare progres në ngritjen e transparencës në publikimin e aktgjykimeve ndaj të akuzuarve për korrupsion në raport me vitin paraprak. Përkundrazi, paraqet regres.

Gjatë vitit 2020, IKD ka monitoruar gjithsej 240 raste të korrupsionit, me 643 të akuzuar gjithsej. Për këto raste të korrupsionit, gjatë vitit 2020, IKD ka monitoruar 744 seanca gjyqësore të cilat ishin caktuar. Nga këto 744 seanca të monitoruara në rastet e korrupsionit, 513 prej tyre janë mbajtur, ndërkaq si pasojë e mosplotësimit të kushteve ligjore për mbajtjen e seancave, 231 prej tyre janë shtyrë. Shprehur në përqindje, i bie se në rastet e korrupsionit, 31.04% e seancave janë shtyrë. Pra në këtë mënyrë, IKD gjen se pothuajse çdo e treta (3) seancë në rastet e korrupsionit është shtyrë gjatë vitit 2020. Arsyet e shtyrjes së 231 seancave të korrupsionit janë të ndryshme: Mirëpo pjesa më shqetësuese është se nga këto shtyrje të seancave, 47 nga to kanë dështuar për shkak të mungesës së vet gjykatësve dhe prokurorëve.

Të akuzuarit në rastet e korrupsionit të monitoruara gjatë vitit 2020 i takojnë të gjitha profileve. Por, të akuzuarit e profilit të lartë janë në disproporcion të theksuar negativ në raport me të akuzuarit që i përkasin profilit të mesëm dhe atij të ulët. /BetimipërDrejtësi