PROKURORI BALLAFAQON DËSHMITARËT ME BISEDAT TELEFONIKE ME TË AKUZUARIN REFIK LATIFAJ

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Gjilan – Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore të Gjilanit, prokurori i shtetit Afrim Shefkiu ballafaqoi dëshmitarët me bisedat telefonike të zhvilluara me të akuzuarin Refik Latifaj, Shefin e Inspektoratit në Komunën e Kamenicës,

Ky i fundit në cilësinë e personit zyrtar, akuzohet nga Prokuroria se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit” duke iu ndihmuar në forma të ndryshme kompanive që merren me eksploatimin e rërës dhe zhavorit. Kjo ndihmë kishte konsistuar në dhënien e instruksioneve për eksploatim ilegal, të rërës dhe zhavorit, duke i udhëzuar kompanitë të pajisen me dokumente fiktive doganore si mbulesë për veprimtarinë e tyre ilegale. Për këto veprime prokuroria pretendon që Refik Latifaj i ka kryer me qëllim të dobisë së kundërligjshëm pasurore. Sipas këtij akti akuzues Latifaj kishte vepruar në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, numër 02/46, të 2 nëntorit 2011, me të cilin është ndaluar në tërësi eksploatimin e materive nga shtretërit, brigjet dhe hapësirat për rreth lumenjve.

Dëshmitari Shaban Thaçi, vëllai i pronarit të kompanisë ‘Imrami” deklaroi se bisedat telefonike ku i akuzuari Latifaj i jep udhëzime për dokumentacionin e mallit, përkatësisht të zhavorit i njëjti deklaroi se janë të vërteta, duke deklaruar kështu se vetëm e kanë pyetur për t’i udhëzuar se si të veprojnë pasi iu kishte skaduar licenca për eksploatimin e të njëjtit mall.

Thaçi tha se pasi ishin ndaluar kamionët e tyre nga ana e policisë, e më vonë të pranishëm kanë qenë edhe inspektorë, të njëjtit i kishin lëshuar pasi ua kishin prezentuar dokumentacionin përkatës të lëshuar nga kompania “Agdani”, pasi zhavori kishte qenë donacion, gjë që edhe faktimi i tij ka qenë i domosdoshëm.

Pronari i kësaj kompanie Rexhep Veseli lidhur me bisedën telefonike që kishte zhvilluar me Latifajn tha se nuk e ka idenë se pse i njëjti i kishte kërkuar që të sigurojë dokumentacion për zhavorin e jo vet Shaban Thaçi, por theksoi se këtë gjë e ka bërë pasi e ka pasur dokumentacion doganor, i cili dëshmon importimin e këtij malli nga Republika e Serbisë.

Ndërsa në  pyetjet nga mbrojtësit e të akuzuarit, avokatët Shemsedin Pirraj dhe Selami Rexhepi, Shaban Thaçi dhe Rexhep Veseli, që të dy dëshmitarë të propozuar nga ana e Prokurorisë deklaruan se Refik Latifaj asnjëherë nuk kishte kërkuar dobi pasurore.

Ndryshe dëshmoi Komandanti i Stacionit Rajonal në Komunën e Kamenicës, Nazif Hajrizi, i cili deklaroi se Inspektorati Komunal dhe Inspektorët e Komisionit të Pavarur për miniera dhe minerale nuk e kanë respektuar Ligjin dhe vendimin e Qeverisë lidhur me ndalimin e eksploatimit të materive nga shtretërit, brigjet dhe hapësirat për rreth lumenjve.

Komandant Hajrizi deklaroi se edhe pas ndalimit të këtyre kamionëve nga ana e policisë, inspektorët i kanë liruar, gjë që i njëjtit tha se si komandant këtë gjë e kishte vërejtur dhe kishte përpiluar një raport drejtuar Drejtoratit Rajonal të Policisë në Gjilan, me qëllim që Njësia për Krime Ekonomike të nis hetime, pasi gjendja sipas tij kishte qenë katastrofale.

“Procedura se si kishin vepruar inspektorët më është dukur e dyshimtë, e kjo nuk e di nëse ka qenë e qëllimshme apo e paqëllimshme”, tha për gjykatën Komandanti Rajonal i Komunës së Kamenicës Nazif Hajrizi.

Shqyrtimi gjyqësor do të vazhdojë më 19 shtator 2016 në orën 13:00.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë