PROKURORI ARRIN MARRËVESHJE PËR PRANIMIN E FAJËSISË ME STEVIQ DHE MAKSIMOVIQ, GJYKATA I DËNON ME GJOBË PËR VOTA

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan – Prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Afrim Shefkiu, ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me dy prej katër të akuzuarve për asgjësim të dokumenteve të votimit dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm gjatë procesit të zgjedhjeve lokale të mbajtura në vitin 2013 në Republikën e Kosovës.

Prokurori Shefkiu, ua ka mbushur mendjen dy të akuzuarve Cedomir Steviq dhe Dragan Maksimoviq, ndërsa nuk ka arritur t’i bindë dy të akuzuarit e tjerë Miodrag Guzviq dhe Momqillo Janqiq. Dy të parët që kanë pranuar fajësinë janë dënuar me gjobë prej 1200 eurove, dhe kompensimin e dëmit të shkaktuar komunës, ndërsa nëse të akuzuarit nuk i paguajnë gjobat, detyrohen të vuajnë dënim me burgim prej 6 muajve.

Në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Gjilan, prokurori Afrim Shefkiu tha se pajtohet të veçohet procedura ndaj dy të akuzuarve që nuk e kanë pranuar fajësinë, ndërsa atyre që kanë pranuar fajësinë ua ka propozuar marrëveshjen trupit gjykues.

Prokurori Shefkiu tha se qëndron pranë marrëveshjes për pranimin e fajësisë të lidhur me të akuzuarit Qedomir Steviq dhe mbrojtësin e tij avokatin Sherif Sherifi si dhe me të akuzuarin Dragan Maksimoviq dhe mbrojtësin e tij avokatin Mustafë Musa. Prokurori tha se janë dakorduar në detaje lidhur me lartësinë e dënimit me mundësi të shëndrrimit me gjobë dhe ka propozuar që kjo marrëvëshje të aprovohet nga trupi gjykues.

Kryetari i trupit gjykues Afrim Shala mori këtë aktvendim që të veçohet procedura penale ndaj të akuzuarit Qedomir Steviq dhe Dragan Maksimoviq, të cilët kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë, ndërsa ndaj dy të akuzuarve tjerë do të zhvillohet procedurë e veçantë. Seanca ndaj Guziviq dhe Janqiq u caktua më 14 prill 2016, ora 9:00.

Pasë dëgjimit të palëve trupi gjykues ka konstatuar se janë plotësuar kushtet ligjore dhe ka marrë aktvendim që të pranoj marrëveshjen për pranimin e fajësisë në mes të Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe të akuzuarve Qedomir Steviq dhe Dragan Maksimoviq dhe mbrojtësve të tyre.

Kryetari i trupit gjykues tha se të akuzuarit e kuptojnë natyrën dhe pasojat e pranimit të fajësisë, dhe se pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë vullnetare nga të akuzuarit.

Dy të akuzuarit Qedomir Steviq dhe Dragan Maksimoviq t rupi gjykues i ka dënuar me gjobë prej 1200 eurove, dhe kompensimin e dëmit të shkaktuar komunës, ndërsa nëse të akuzuarit nuk i paguajnë gjobat, detyrohen të vuajnë dënim me burgim prej 6 muajve.

Sipas aktakuzës Miodrag Guziviq, Momqillo Janqiq, Cedomir Steviq dhe Dragan Maksimoviq  akuzohen se më 1 dhjetor 2013, në orën 20:30, në Shtëpinë e Kulturës në Pasjan (në Qendrën e Votimit) në kohën deri sa komisionerët e asaj Qendre  ishin brenda, të akuzuarit së bashku me disa qytetarë kishin hyrë me dhunë, duke i thyer dritaret e derës së hyrjes, kishin asgjësuar, dëmtuar dhe djegur kutitë e votimit në të cilat ishin fletvotimet me qëllim të asgjësimit.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë