Prokuroi pretendon se ka prova ndaj 11 të akuzuarve për kontrabandë me mallra, kundërshton mbrojtja

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në fjalën hyrës, në gjykimin ndaj 11 të akuzuarve për kontrabandim me mallra, prokurori Burim Çerkini ka pretenduar se ka prova të cilat vërtetojnë tezën e aktakuzës, mbrojtja e ka kundërshtuar.

Në këtë rast, për kontrabandim me mallra po akuzohen Izet Jashari, Arben dhe Faton Isufi, Bajram Uka, Nysret dhe Xhevdet Jashari, Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Besnik dhe Jeton Morina dhe Sabri Isufi, ndërsa për armëmbajtje pa leje po akuzohen Nysret Jashari dhe Faton Isufi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori special Burim Çerkini fjalën hyrëse e ka dorëzuar me shkrim, si dhe ka shtuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale në kontrabandim në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi.

Ai ka thënë se dyshimi i bazuar mirë do të vërtetohet me provat materiale dhe personale dhe atë me veçanërisht më dëshminë e dëshmitarëve A1 dhe A2.

Prokurori Çerkini ka pretenduar se ky aktivitet kriminal ka pasur qëllim përfitime materiale për veti dhe dëmtimin e buxhetit të Republikës së Kosovës.

Andaj mbi këto pretendime, prokurori Çerkini ka kërkuar nga gjykata që provat që e mbështesin këtë aktakuzë t’ua fal besim, dhe të akuzuarit t’i shpall fajtorë.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Izet Jashari, avokati Mahmut Hamili, në fjalën hyrëse ka deklaruar se vepra për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij nuk i përmbush elementet e veprës penale, pasi sipas tij transportimi i mallit nga Zubin Potoku për në qendra tjera të Kosovës është transportim brenda territorit të Republikës së Kosovës, pasi sipas tij, edhe Zubin Potoku është pjesë e Kosovës.

Ai ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor do ta bind gjykatën që i akuzuari Izet Jashari nuk ka kryer asnjë veprim të vetëm inkriminues.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Bajram Uka, avokati Valdet Kadriu ka thënë i mbrojturi i tij pa të drejtë është akuzuar për veprën penale kontrabandim mallra në bashkëkryerje dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se i njëjti nuk ka marr asnjë veprim i cili bie ndesh me ndonjë ligj të aplikueshëm, dhe sipas tij, nuk ka asnjë provë e cila do të vërteton dyshimin e bazuar mirë se i njëjti e ka kryer veprën për të cilën akuzohet.

Ai ka konsideruar se në fund të këtij procesi gjyqësor gjykata do të merr aktgjykim lirues, pasi sipas tij provat e paraqitura nga prokuroria nuk kanë vlerë provues, nuk janë të besueshme, e as të rëndësishme për të shqyrtuar në shqyrtim gjyqësor.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Nysret Jashari, avokati Ali Beka, fjalën e tij hyrëse e ka dorëzuar me shkrim si dhe ka thënë se në fund të shqyrtimit gjyqësor gjykata do të marr aktgjykim lirues.

Mbrojtësi i të akuzuarit Xhevdet Jashari, avokati Betim Shala e ka përkrahur fjalën hyrëse të avokatëve të tjerë të sipërpërmendur, si dhe ka shtuar se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të dëshmohet se i mbrojturi i tij nuk është kryerës i veprës penale për të cilën është akuzuar dhe se i njëjti gjatë periudhës së pretenduar kohore nuk ka ndërmarrë asnjë veprim me të cilën do të plotësoheshin elementet qenësore të veprës penale për të cilën është akuzuar.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarës Mimoza Jashari, avokati Arsim Bilalli e ka përkrahur fjalën hyrëse të avokatëve të lartcekur dhe ka shtuar se prokuroria nuk ka arrit me asnjë provë të vetme bindëse për ta vërtetuar dyshimin e bazuar mirë se i njëjti është kryerës i kësaj vepre penale.

Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Nezir Bilalli, avokati Sylejman Klinaku i ka mbështetur fjalët hyrëse të avokatëve të të akuzuarve të tjerë, dhe ka thënë se akuza ndaj të mbrojturit të tij për kontrabandim me mallra nuk ka bazë ligjore, për të cilin pretendim ka thënë se do ta vërtetojnë gjatë shqyrtimit gjyqësor me anë të provave.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Besnik Morina, avokati Halil Paloja ka thënë se për të ekzistuar vepra penale për të cilën po akuzohet i mbrojturi i tij, duhet të ekzistoj kalimi ilegal i kufiri, si kusht esencial shmangja e pagesës doganore, e gjerë më tani sipas tij me asnjë prove prokuroi i çështjes nuk e ka faktuar.

Ai ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor pa mëdyshje do të vërtetohet se i akuzuari Besnik Morina nuk e  ka kryer këtë vepër penale që i vihet barrë nga prokuroria.

Mbrojtësi i të akuzuarit Jeton Morina, avokati Jeton Osmani në fjalën e tij hyrëse ka thënë se prokuroria nuk do të arrij ta vërtetoj tezën e aktakuzës, si dhe ka kërkuar që gjykata të marr aktgjykim lirues.

Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Sabri Isufi, avokati Arlind Jupolli ka deklaruar se në aktin aktakuzë në raport me të mbrojturin e tij nuk ekziston asnjë provë e vetme e cila mund të vërtetohet i njëjti e ka kryer veprën penale që i vihet barrë.

Ai tha se meqenëse barra e provës bie mbi organin e aktakuzës, e të tilla në shkresat e lëndës nuk ka, gjatë administrimit të të gjithë dosjes, trupi gjykues do të bindet se për të mbrojturin e tij nuk ka prova që to ta vërtetonte që e ka kryer veprën penale për të cila i vihet barrë, dhe gjykata do të marr aktgjykim lirues.

Prokuroi lidhur me pretendimet e mbrojtjes në fjalën hyrëse sa i përket elementeve të veprës penale, ka thënë se ky mall ka ardhur nga Serbia në Kosovës, dhe nëse avokatet konsiderojnë se s’ka kufi mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë sipas tij është diçka tjetër.

Fillimisht në këtë seancë të akuzuarit janë deklaruar të pa fajshëm për veprat për kontrabandim me mallra e armëmbajtje pa leje, ndërsa i akuzuari Nysret Jashari e ka pranuar fajësinë vetëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Pranimi i fajësisë nga i akuzuari Jashari për veprën penale të armëmbajtjes pa leje nuk është kundërshtuar as nga mbrojtësi i tij as nga prokurori, si dhe është pranuar nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi, i cili tha se shpallja e aktgjykimit do të pezullohet deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor.

Tutje, në këtë seancë gjykatësi Krasniqi ka konstatuar se avokati Durim Osmani me një parashtresë, si dhe disa avokatë të tjerë në këtë seancë kanë kërkuar qe tu kthehet senet, dhe mjetet e konfiskuara.

Për të cilën kërkesë prokurori Çerkini ka thënë se nuk mund të deklarohet pasi në shkresat e lëndës nuk ka ndonjë urdhëresë nga prokuroria ose gjykata për konfiskim.

Pas kësaj gjykatësi Krasniqi e ka shtyrë seancën deri më 26 janar 2022.

Ndryshe, para veçimit të procedurës në këtë rast të akuzuar kanë qenë edhe Zvezdan Spasojeviq, Biljana Nedeljkoviq, Abdurrahim Haxhiq, Albert Maxhuni, Milija Milunoviq, Oliver Kuzmanoviq, Ramadan Mustafiq, Dejan Spasojeviq, Dragosh Kompiroviq, Jasna Durleviq, Zenel Bahtiri, Bozhidar Milosajeviq, Ali Pllana, Zoran Radunoviq, Krsto Subotiq, Reshat Kuci, Vukadin Tomasheviq, Blagica Tomoviq, Ljubisa Vujinoviq, Burim Merovci, Blagoje Lazoviq dhe Nebojsa Gogiq, të cilët po akuzohen se në cilësinë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrje të ryshfetit”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës me, 18 maj 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj 33 personave për dyshimin se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i  pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje ryshfeti”, “Kontrabandë me mallra”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Zvezdan Spasojeviq në cilësinë e komandantit të stacionit, Biljana Nedekjkoviq në cilësinë e udhëheqëses së ndërrimit dhe të akuzuarit Milija Milunoviq, Albert Maxhuni dhe Abdurahim Haxhiq në cilësinë e policëve patrollues në kuadër të ndrrimit “A”, të SPMK në Zubin Potok, nga viti 2017 e deri në maj 2019, në bashkëkryerje me të akuzuarin Dejan Vukashinoviq i cili ndodhet në arrati, me dashje kishin shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar.

Në aktakuzë thuhet se kishin lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshme si: kafshë, derivate, pije alkoolike, joalkoolike dhe mallra ushqimore nga Serbia në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, nëpërmjet rrugëve ilegale, derisa kishin qenë në detyrë zyrtarë duke mbikëqyrur rrugët kufitare.

Sipas PSRK-së, të njëjtit iu kishin mundësuar përfitim pasuror të kundërligjshëm të akuzuarve Dragoslav Igrutinoviq, Boban Radojkoviq, Dalibor Djukiq, Miljan Radisavljeviq, Miljojko Radisavljeviq, Zoran Vukomanoviq dhe persona të tjerë si transportues të mallrave, duke iu shmangur kontrollit doganor me rastin e importimit të mallrave, me ç’rast i kishin shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, sipas PSRK-së këta 5 të akuzuar kishin marrë-pranuar shuma të ndryshme të parave, për të vepruar në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare dhe atë për çdo automjet nga 20 deri në 100 euro, apo 150 euro, e që një pjesë të këtyre parave e kishin marrë për vete, ndërsa pjesën tjetër ua kishin ndarë policëve të ndërrimit.

Për të njëjtat veprime po akuzohen edhe Oliver Kuzmanoviq në cilësinë e udhëheqësit të ndërrimit, Ramadan Mustafiq, Dejan Spasojeviq, Dragosh Kompiroviq, Jasna Durleviq, Zenel Bahtiri, Bozhidar Milosavljeviq dhe Ali Pllana, në cilësinë e policëve patrollues në kuadër të ndërrimit “B”, të SRMK, në Zubin Potok dhe të akuzuarit Zoran Radunoviq në cilësinë e udhëheqësit të ndërrimit si dhe të akuzuarit Krsto Subotiq, Reshat Kuqi, Vukadin Tomasheviq, Blagica Tomaviq, Ljubisa Vujinoviq, Burim Merovci dhe Blagoje Lazoviq në cilësinë e policëve patrollues në kuandër të nderrimit “C”.

Për këto veprime, PSRK, në vazhdim dhe bashkëkryerje po i ngarkon me veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrja e ryshfetit”.

Për të njëjtat veprime dhe me të njëjtat vepra penale po ngarkohet edhe udhëheqësi i ndërrimit “D”, Nebojsha Gogiq.

Sipas PSRK-së, të akuzuarit Izet Jashari, Arben Isufi, Faton Isufi, Bajram Uka, Nysret Jashari, Xhevdet Jashari, Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Besnik Morina, Jeton Morina dhe Sabri Isufi, nga viti 2017 e deri në maj 2019, në bashkëkryerje me Dragoslav Igrutinoviq dhe Boban Raojkoviq të cilët gjenden në arrati, kishin kontrabanduar kafshë nga Serbia për në Kosovës, duke iu shmangur kontrollit doganor.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Besnik Morina, Jeton Morina dhe Sabri Isufi kishin udhëtuar në Serbi ku atje kishin blerë kafshë dhe më pas të njëjtat përmes marrëveshjes i kishin dorëzuar tek të akuzuarit Dragoslav Igrutinoviq dhe Boban Radojkoviq të cilat kafshë i kishin kontrabanduar përtej kufirit në mënyrë ilegale dukë bashkëpunuar me zyrtarët policor në SPMK-Zubin Potok, për të cilat shërbime ishin paguar në shumën prej 50 deri në 60 euro për një kafshë.

Më pas, siç thuhet në aktakuzë, të pandehurit Izet Jashari, Arben Isufi, Faton Isufi, Bajram Uka, Nysret Jashari, Xhevdet Jashari, i kishin marrë kafshët nga fermat e të akuzuarve Dragoslav Igrutinoviq dhe Boba Radojkoviq dhe i kishin dorëzuar tek pronarët e tyre në fshatrat Pasomë dhe Akrashticë të komunës së Vushtrrisë dhe fshatin “Sankovc”, në Drenas, ku për bartjen e këtyre kafshëve kishin marrë 30-35 euro për një kafshë.

Sipas PSRK-së, vetëm për dy rastet e proceduara vlera e shmangies për mallrat e kontrabanduara është mbi 5 mijë euro, ku të njëjtit pas hetimit nga ana e policisë ishin arrestuar.

Për këto veprime, Izet Jashari, Arben Isufi, Faton Isufi, Bajram Uka, Nysret Jashari, Xhevdet Jashari, Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Besnik Morina, Jeton Morina dhe Sabri Isufi, po ngarkohen me veprën penale “kontrabandë me mallra”, nga nenin 317, par.1 lidhur me nenet 81 dhe 31 të Kodit Penal.

Po ashtu, të akuzuarit Nysret Jashari dhe Faton Isufi po ngarkohen edhe për veprën penale “armëmbajtje pa leje”, pasi gjatë urdhër kontrollit nga ana e policisë, tek i akuzuari Jashari ishin gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri AK-47, një pushkë M-48, 12 fishekë të pushkës automatike, 30 fishekë të pushkës M-48, një pjesë vazhduese e pushkës automatike.

Ndërsa, tek i akuzuari Isufi policia kishin gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie ”Zastava”, dhe dy fishekë të kalibrit 12 mm, të cilat armë dy të akuzuarit i kishin poseduar pa autorizim. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

 

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë