Profesori që shkëputi njëanshëm kontratën detyrohet t’ia paguajë kolegjit mbi 3 mijë euro

Raporton: Ronesa DRAGUSHA

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e Universitetit AAB përmes të cilës ka kërkuar nga ish punonjësi – prof. Muhamet Avdyli  kompensimin e dëmit prej 3,144 euro për mospërmbushje të kontratës.

Me aktgjykimin e 11 marsit 2022 është detyruar i padituri Muhamet Avdyli që në emër të kompensimit të dëmit për shkak të mospërmbushjes së kontratës së 12 prillit 2017 t’i kompensoj paditësit shumën prej 3,144.60 euro me kamatë prej 8% .

Sipas aktgjykimit , secila palë është detyruar që t’i përmbush shpenzimet e veta, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ne aktgjykim thuhet se pas provave të administruara, ka rezultuar se nuk është kontestuese se mes palëve ka pasur raport kontraktual të punës.

Në arsyetim të aktgjykimit thuhet se sipas gjetjes së gjykatës, palët ndërgjyqëse kishin nënshkruar me 12 prill 2017 kontratën e punës me kohëzgjatje nga 1 marsi 2017 deri më 30 shtator 2020 ndërsa në nenin 10 të kësaj kontrate ishte rregulluar se në rast të shkëputjes së kontratës palët duhet njoftuar 90 ditë më herët, e pala që nuk e respekton këtë nen obligohet që palës tjetër t’i paguajë shumën e barazvlefëshme të tri pagave.

Lidhur me këtë sipas aktgjykimit thuhet se AAB në e-mailin e 12 qershorit 2017 e kishte njoftuar Avdylin se Agjensia Kosovare e Akreditimit kishte bërë verifikimin e stafit akademik ku kishte rezultuar se shumë prej stafit të AAB ishin të punësuar edhe në institucion tjetër arsimor.

Tutje thuhet se Avdyli më 12 qershor 2017 i kishte dërguar email AAB duke thënë se të njejtën e kishte njoftuar më hërët se kishte kontratë të rregullt pune me Kolegjin UBT, ku tutje ka njoftuar paditësen se kishte vendosur bashkpunimin si profesor me marrdhënie të rregullt, por duke vijuar t’i kryejë të gjitha obligimet dhe detyrat që i takonin.

Andaj në arsyetim thuhet se gjykata rrjedhimisht ka vërtetuar se i padituri e ka ndërprerë marrëdhënien e punës në mënyrë të njëanëshmë më paditësen.

Gjithmonw sipas aktvendimit thuhet se  Ligji i Punës nr 03/L-212 në nenin 66 përcakton “Për realizimin e të drejtave kur është në pyetje kompensimi i dëmit sipas dispozitave të neneve 62, 64 dhe 65 të këtij ligji do të zhatohen përshtatshmëritsht dispozitat e Ligji për Detyrimet”.

Gjithashtu thuhet se sa i përket pjesës kompensuese të dëmit në këtë rast do të zbatohen dispozitat e Ligjit nr.04/L-007 mbi Marrdhëniet e Detyrimeve Ligji (LMD).

Sipas arsyetimit, thuhet se nëni 254 par.1 i LMD-së rregullon se “Plët kontraktuese mund ta caktojnë lartësinë e dëmit sipas vullnetit të tyre, në një shumë të përgjithëshme, në përqindje ose për çdo ditë vonesë, ose në ndonjë mënyrë tjetër.

Pra mbi këtë bazë pas adminimistrimit të të gjitha provave, gjykata e ka aprovuar kërkesëpadinë e paditësit dhe e ka vërtetuar se të njejtit i takon edhe kamatëvonesa, lidhur me lartësinë e kamatës 8% e llogaritur nga dita e marrjes së aktgjykimit.

Ndërsa më 24 shkurti 2022, paditësi Universiteti AAB ka bërë precizimin e padisë ku kërkojnë nga gjykata aprovimin e padisë dhe kërkesëpadise dhe ta detyroj të paditurin Muhamet Avdyli që në emër të kompensimit të dëmit për shkak të mospërmbushjes së kontratës dhe mosrespektimit të afatit të denoncimit, t’i kompensojë paditësit shumën prej 3,144.60 euro me kamatë ligjore prej 8%.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 14 korrik 2017, Kolegji AAB ka lidhur kontratë pune me të paditurin më 12 prill 2017 si mësimdhënës i rregullt në Fakultetin Ekonomik, kjo kontratë e punës ka filluar të aplikohet prej datës 1 mars 2017 me kohëzgjatje deri më 30 shtator 2020, si dhe i padituri ka plotësuar deklaratën për angazhim akademik, deklaratë kjo e cila dorëzohet ne Agjencinë e Kosovës për Akreditim dhe si  punëdhënës primar ka paraqitur Kolegjin AAB, Fakultetin Ekonomik.

Në padi thuhet pas verifikimit të stafit nga Agjencia e Stafit për Akademik, është konstatuar se disa profesor kanë pasur nga dy punëdhënës primar dhe për ta rregulluar këtë çështje, paditësi me datën 13 qershor  u ka dërguar e-mail profesorëve duke kërkuar nga të njëjtit sqarimin e kontratës së tyre.

Sipas padisë, i padituri Muhamet Avdyli në përgjigje të e-mailit, më 15 qershor 2017 ka konfirmuar se ka marrëdhënie të rregullt pune me një institucion një tjetër arsimor dhe sipas padisë kjo paraqet një shkëputje të njëanshme të kontratës së punës dhe është në kundërshtim me nenin 10 të kontratës.

Mbi këtë bazë, Kolegji AAB ka kërkuar nga gjykata që të detyrohet i padituri Muhamet Avdyli që paditëses në emër të kompensimit të dëmit të shkaktuar nga shkëputja e njëanshme e kontratës t’ia paguajë shumën e barabartë me tri paga prej 3 mijë e 600 euro me kamatë ligjore prej 8% nga dita e shkëputjes së kontratës deri në pagesën definitive si dhe shpenzimet procedural.

Në anën tjetër, në përgjigjen në padi të dhënë më 24 nëntor 2021 thuhet se i padituri Muhamet Avdyli i ka rikujtuar të paditurës me e-mailin e datës 15 qershor 2017 lidhur me marrëdhënien e punës që e kishte me një institucion tjetër ndërsa e paditura i është përgjigjur duke thënë se kontrata me AAB është e fundit dhe ashtu mbetet. Në këtë e-mail thuhet se Avdyli e ka njoftuar Kolegjin AAB se do ta ndërpresë kontratën me të duke e specifikuar se do t’i përfundojë të gjitha detyrimet lidhur me të paditurën.

Sipas përgjigjes në padi, njoftimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës është bërë me kohë  me që i padituri ka vazhduar angazhimin edhe për 6 muaj tjerë dhe kjo vërtetohet me pagesat e bëra nga e paditura në mars të vitit 2018.

Tutje në përgjigje në padi thuhet se në përputhje me kontratën si dhe me Ligjin e punës, nenin 69 lidhur me ndërprerjen e punës nga punëmarrësi specifikohet edhe koha dhe mënyra e ndërprerjes së punës e cila në këtë rast është saktësisht në përputhje me njoftimin të cilin i padituri i ka dërguar./BetimipërDrejtësi

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë