Profesori i kimisë kërkon nga UP-ja avancimin e tij, e paditura thotë se Senati ka vepruar në pajtim me rregulloren për avancim

5555 (4)
Author

Raporton: Valentina – SHAHINI GRAJҪEVCI

Tetor 15, 2020

Prishtinë – Me pretendimin se Senati i Universitetit të Prishtinë, ka vendosur në kundërshtim me rregulloren e saj, me rastin e zgjedhjes së personelit akademik, paditësi Ramiz Hoti, ka paraqitur padi kundër Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Me padinë e ushtruar në qershor të vitit 2019, paditësi po kërkon nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP-ja), që t’i njihet e drejta e avancimit nga profesori i asocuar, në profesor të rregullt, si dhe t’i kompensohet dëmi material dhe jomaterial, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë rast, të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca përgatitore.

Përfaqësuesi i paditësit, avokati Faik Halili, ka deklaruar se qëndron pranë padisë së paditësit, duke pretenduar se pas analizimit të provave nga gjykata paditësi do të fitojë të drejtën ashtu siç ka kërkuar.

Tutje, gjykatësi i rastit Dardan Kadolli, nga avokati Halil ka kërkuar që të bëhet precizimi i kërkesëpadisë, për të cilin precizim ky i fundit tha se do ta dorëzojë me shkrim.

Gjithashtu, gjykatësi Kadolli nga përfaqësuesi i paditësit ka kërkuar ta sqarojë kërkesën për kompensimin e dëmit, ky i fundit ka thënë se pas bisedimit me palën paditëse do të tërhiqet nga kërkesa për kompensimin e dëmit jo material, ndërsa kompensimin e dëmit material tha se kërkohet për faktin se paditësi është dëmtuar në të ardhura personale.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i të paditurës Safet Thaqi, ka thënë se lidhur me rastin konkret Senati i UP-ës ka vepruar në pajtim me rregulloren për zgjedhje, rizgjedhje dhe avancim.

Po ashtu, Thaqi ka thënë se në nenin 173 të rregullores për zgjedhje, rizgjedhje dhe avancim theksohet se, avancimi i personelit akademik nga thirrja në thirrjen tjetër bëhet pas vlerësimit të komisionit vlerësues.

Thaqi, tha se Senati i UP-së është organi vendimtar për marrjen e  vendimit dhe sipas tij ky organ në bazë të kompetencave të tij ka konstatuar se paditësi duhet të rizgjidhet si profesor i asociuar.

Kurse, gjykatësi Kadolli, seancën përgatitore e ka shtyrë, pasi që sipas tij padia nuk është mjaftueshëm e precizuar, dhe palët nuk i elaboruan mjaftueshëm pretendimet e tyre.

Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet më 9 nëntor 2020, ora 10:00.

Ndryshe sipas padisë të ushtruar më 24 qershor 2019, paditësi po kërkon nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP), që t’i njihet e drejta e avancimit nga profesori i asocuar në profesor të rregullt, si dhe t’ia kompensoj dëmin material dhe jomaterial.

Në padi thuhet se, UP-ja  më 27 prill 2019 ka shpallur konkurs për zgjedhjen e personelit akademik në Fakultetet e Universitetit të Prishtinës, në mesin e të cilave është shpallur konkurs edhe për profesor të kimisë organike.

Siç thuhet në padi, paditësi kishte aplikuar për lëndën kimi organike, mirëpo Senati i UP-së kishte vendosur të mos e pranojë si profesor të rregullt, por profesor të asociuar.

Bazuar në padi, Senati i UP-së kishte vendosur në kundërshtim me rregulloren për zgjedhjen, rizgjedhjen dhe avancimin.

Gjithmonë sipas padisë, paditësi kishte ushtruar ankesë pranë Komisionit për ankesa dhe parashtresa të Senatit të UP-së, i cili komision e kishte aprovuar të bazuar aneksen e paditësit.

Por siç thuhet në padi, Senati i UP-së me rastin e vendosjes sipas ankesë së paditësit, e kishte refuzuar si të pa bazuar ankesën e të njëjtit.

Tutje, thuhet se paditësi kishte parashtruar ankesë kundër vendimit të Senatit pranë Inspektoratit të Punës, i cili e kishte aprovuar ankesën e tij.

Kundër vendimit të Inspektoratit të Punës, UP-ja kishte bërë ankesë, e cila ankesë ishte hedhur poshtë si të pasafatshme.

Me padi paditësi pretendon se UP-ja duke mos e respektuar vendimin e Inspektoratit të Punës i’a ka shkelur të gjitha të drejtat dhe në mënyrë të kundërligjshme ia ka anuluar kontratën e rregullt të punës.

Prandaj, me anën e kësaj padie paditësi po kërkon nga gjykata që kërkesa e tij të aprovohet si e  bazuar dhe të detyrohet e paditura që t’ia njohë të drejtën e avancimit nga profesori i asocuar në profesor të rregullt, si dhe t’ia kompensojë dëmin material dhe jomaterial. /BetimipërDrejtësi