ProCredit Bank detyrohet t’ia dorëzojë gjykatës aktet normative në rastin ku paditësi kërkon kthim në punë

Author

Raporton: Blinerë BEKA

Shtator 14, 2021

Prishtinë –  Me propozim të përfaqësuesit të paditësit Fejzullah Mehmeti, avokati Halil Ilazi ka propozuar që gjykatës t’i dorëzohen aktet normative të brendshme të ProCredit Bank-ës, dëgjimin e pronari të firmës Gomisteria-pneumatik DPZ – Esat Shabani si dhe plotësimin e ekspertizës.

“Mbetem pranë propozimit të dhënë në ndryshimin e padisë, që të caktohet eksperti Aziz Berisha i cili do vërtetoj faktet që janë përmendur në ndryshim të padisë: të dhënat personale që di i realizoj paditësi, pjesën që duhet të paguhet për trustin dhe pjesën për tatim në ardhura personale sikurse është caktuar në ndryshim të padisë deri në ditën e seancës së ardhshme” – ka shtuar përfaqësuesi Ilazi.

Ndërkaq, pala e paditur ProCredit Bank me përfaqësuesin Florin Lata, nuk e ka kundërshtuar dëgjimin e pronarit të firmës Gomisteria-pneumatik DPZ, Esat Shabani dhe as dorëzimin e akteve të brendshme. Ai ka thënë se nuk është e nevojshme të behet plotësimi i ekspertizës.

“Sa i përket dëgjimit të dëshmitarit nuk e kundërshtoj që të dëgjohet Esat Shabani, edhe pse nuk është kontestuese mes palëve se ai nuk e ka bërë pagesën e këstit të kredisë, sa i pëkret Akteve të Brendshme përsëri do ia dorëzojmë gjykatës dhe palës paditëse, sa i përket propozimit për ekspertizë meqë e kontestoj bazën e kërkesëpadinë e kontestojmë edhe lartësinë e saj dhe e konisderojmë të panevojshme nxjerrje e ekspertizave të reja”, ka thënë ai.

E këto propozime të palës paditëse, gjykatësi Ylber Shurdhiqi i ka aprovuar.

Pas kësaj, përfaqësuesi i paditësit Ilazi është shprehur se nuk është e logjikshme që për 2 euro për mirëmbajtjen e llogarisë të mos jepen 304 euro që në fakt i kanë takuar.

Për këtë, përfaqësuesi i të paditurës Lata ka thënë se arsyeja e marrjes së vendimit mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës së paditësit Mehmeti, nuk është për shkak të këtyre parave por për shkak se i njëjti ka zbuluar informacione të cilat me Akte të Brendshme klasifikohen si informacione konfidenciale.

Fejzullah Mehmeti ka paditur ProCredit Bank për shkak të ndërprerjes së marrëdhënies së punës.

Për këtë çështje, Gjykata e Apelit në Prishtinë, ka aprovuar ankesën e të paditurës ProCredit Bank në të cilën ka kërkuar prishjen e aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë duke prishur kështu aktgjykimin e Gjykatës Themelore me arsyetimin se gjykimi i çështjes nuk është bazuar në themelin faktik të plotë të çështjes.

Më tutje, sipas vendimit të të njëjtës, paditësi Mehmeti në fakt ka bërë shkeljen e obligimit ligjor për mos zbulimin e informacioneve të bankës duke zbuluar kështu shumën e pagesës së këstit të kredisë të një klienti të bankës një personi tjetër.

Ndërkaq, Gjykata Themelore në Prishtinë, paraprakisht rreth kësaj çështje ka aprovuar kërkesëpadinë e paditësit Mehmeti duke anuluar vendimin e të paditurës të datës 23 gusht 2012 dhe e detyruar të njëjtën që paditësin ta kthej në punë dhe të caktohet në detyrën e arkatarit.

Deri tek ky vendim i Gjykatës Themelore është ardhur për shkak se e paditura me asnjë provë nuk ka bindur gjykatës se paditësi me të vërtetë ka kryer shkelje të rëndë të procedurave të bankës.

Sipas padisë, paditësi Mehmeti ka qenë në marrëdhënie pune me të paditurën ProCredit Bank nga data 29 prill 2008 deri më 23 gusht 2012, kur e paditura me vendim e ka suspenduar nga marrëdhënia e punës paditësin për shkak se ka bërë shkelje të rëndë të detyrave të punëve.

Më tutje, sipas padisë, paditësi ka ushtruar ankesë me 24 gusht 2012, ankesë kjo që u refuzua nga ana e të paditurës.

Për këtë, në bazë të padisë, paditësi ka kërkuar që vendimi i datës 23 gusht 2012 të anulohet dhe të kthehet në punët e detyrat e punëve që i ka ushtruar para ndërprerjes së marrëdhënies së punës./BetimipërDrejtësi