PRITET PRECIZIMI I AKTAKUZËS NDAJ TË AKUZUARËVE PËR DALLAVERE NË UP, DISA LIROHEN PËR SHKAK TË PARASHKRIMIT

Raporton: Bukurezë SURDULLI

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prshtinë ka filluar shqyrtimi kryesor ndaj të akuzuarve për dallavere në Universitetin e Prishtinës, ku është i përfshirë ish-kryetari i organizatës “Reforma” dhe asistenti në Fakultetin e Mjekësisë, Esat Belaj dhe të tjerë. Në këtë seancë, pati disa mospajtime në mes të mbrojtësëve të të akuzuarëve dhe prokurorit të çështjes, Abdurrahim Islamit, rreth precizimit të aktakuzës dhe parashkrimit të disa veprave penale. Mbrojtësit e të akuzuarëve pretendonin që për disa vepra penale ka arritur parashkrimi prandaj ato duhet të pushohen, ndërkaq, Islami i kundërshtoj këto pretendime. Mospajtime kishte edhe në mes të prokurorit Islami dhe trupit gjykues, të cilët kërkuan nga ai që të deklarohet lidhur me cilësimin juridik të veprës penale keqpërdorim i pozitës, me të cilën ngarkohet Esat Belaj. Në aktakuzë nuk përmendet ndonjë shumë e caktuar e përfitimit material nga kjo vepër, prandaj trupi gjykues dhe mbrojtësit insistuan që të marrin përgjigje nga prokurori. Por, prokurori Abduarrim Islami refuzoj që të jepte përgjigje në seancën e të premtës. “Këto janë çështje që janë shtjerrë në fazën e kundërshtimeve të palëve. Unë nuk do të përgjigjem në asnjë pyetje. Poshtu edhe Gjykata e Apelit i ka shiquar ato” ka thënë Islami.  Më pas, prokurori Islami shtoj që fjala është për një shumë rreth 5000 euro, dhe se i nevojiten rreth dy orë kohë për të bërë precizimin e shumës. Mirëpo, për shkak të angazhimit të gjykatësve, çështja e precizimit mbeti të bëhet për seancën e rradhës. Kundrejt deklarimit të prokurorit, reagoj mbrojtësi i të akuzuarit Esat Belaj, Ramë Gashi i cili tha se ka vërejtje në aktakuzë rreth kualifikimit të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe sipas tij, prokurori nuk e ka zbatuar ligjin më të favorshëm. “Më vjen keq për qëndrimin e ngurtë të prokurorisë në këtë rast, nuk jam mësu me pa prokurorin prezent në këso situatë. Vërejtjet lidhur me akuzën kanë qenë dhe edhe tani mund të jenë të shumta. Konstatoj se ky kualifikim juridik është në kundërshtim me zbatimin e ligjit më të favorshëm” u shpreh Gashi.

Në këtë çështje, ishin të akuzuar 13 persona, ndërkaq gjykata konstatoj se ndaj të akuzuarit Rajan Zeneli ka arritur parashkrimi i veprës penale dhe ndaj tij është pushuar procedura. Zeneli ishte i akuzuar për veprat penale ushtrim i ndikimit dhe ndihma. Ndaj këtij aktvendimi reagoj avokati mbrojtës Ramë Gashi, i cili tha që gjykata duhet të vendosë edhe për të akuzuarit e tjerë lidhur me parashkrimin, sepse sipas tij, përpara ligjit të gjithë janë të barabartë.

Ky gjykim është ende në fazat fillestare sepse nuk ka filluar shqyrtimi i provave dhe as dëgjimi i dëshmitarëve, të cilat faza do të vijnë pas precizimit të aktakuzës nga ana e prokrurorisë. Në këtë çështje të akuzuar janë Esat Belaj për veprat penale marrja e ryshfetit, ushtrim i ndikimit dhe keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar. Arian Janova, Gazmend Maliqaj dhe Mevledun Beqiri për veprat penale ushtrim i ndikimit. Të akuzuarit Kemajl Gashi, Kushtrim Morina dhe Arton Hoti, për veprat penale ndihmë dhe ushtrim i ndikimit. Muhamed Maliqi, Albion Haxhijaha dhe Leonard Bytyqi për veprat penale marrje ryshfeti dhe ndihmë. Dhe të akuzuarit Shaqir Reçica dhe Amonda Orrllati për veprën penale dhënie ryshfeti. Shumica e të akuzuarëve ishin studenë senatorë në UP dhe asistentë të Fakultetit të Mjekësisë. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelorë në Prishtinë, këto dallavere të akuzuarit i kishin bërë përgjatë viteve 2009 dhe 2012. Në përshkrimi e aktakuzës veprimet e tyre kishin të bëjnë me marrje të ryshfetit dhe ushtrim të ndikimit për regjistrime të jashtëligjshme në Universitetin e Prishtinës dhe kalimin e provimeve, kryesisht në Fakultetin e Mjekësisë.

Të gjithë të akuzuarit përveç Shaqir Reçicës dhe Amonda Orllati, ka qenë në paraburgim nga 12 dhjetori i vitit 2013 deri më 10 prill 2014, ndërsa prej kësaj date deri më 10 qershor 2014 kanë qenë në arrest shtëpiak.

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë