Precizohet padia në rastin ku paditësit po kërkojnë 100 mijë euro kompensim dëmi nga Gazeta “Blic”

Raporton: Donjeta AJVAZI

Prishtinë- Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e së hënës, është precizuar padia për shpifje dhe fyerje, në rastin ku paditësit Ferdije Etemi dhe Basri Muja kanë paditur gazetën “Blic”. Pas precizimit, i paditur është edhe kryeredaktori i “Blic”, Ardian Çollaku.

Një gjë të tillë, e ka bërë të ditur, përfaqësuesja e paditësve, avokatja Edita Ismaili, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E njëjta, mes tjerash deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë si dhe plotësimit të padisë, me të cilin është zgjeruar padia edhe ndaj kryeredaktorit të gazetës “Blic”, Ardian Çollakut.

Tutje, Ismaili propozoi që lidhur me këtë  çështje të caktojë ekspert nga lëmia e psikiatrisë, për të përcaktuar dhimbjen  shpirtërore  dhe vuajtjen që paditësit kanë përjetuar si pasojë e artikujve të gazetës “Blic”.

Një propozim të tillë, e kundërshtoi avokatja e autorizuar e palës së paditur, Gerta Ragipi.

E njëjta tha se e ndaj palës paditëse është ngritur aktakuzë dhe është iniciuar procedurë gjyqësore, pikërisht lidhur me hetimet që përmenden në artikujt kontestues.

Tutje, ajo shtoi se një propozim të tillë e kundërshton edhe për vetë faktin se kanë kaluar 8 vite që nga publikimi i atyre lajmeve dhe e njëjta po ashtu ka propozuar që në seancën e radhës të dëgjohet dëshmitari Naim Gashi, drejtor i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës.

Kurse, avokatja Ismaili deklaroi se paditësit janë shpallur të pafajshëm lidhur me akuzat që iu viheshin në barrë.

“Po, në këtë çështje janë hedhur poshtë të gjitha dyshimet dhe spekulimet që janë bërë lidhur me punën e paditësve si dhe akreditimin e universiteteve. Për këtë arsye, ne konsiderojmë se këto fakte janë gjykuar dhe vërtetuar përtej çfarëdo dyshimi nga gjykata e shkallës së parë dhe të dytë”, deklaroi Ismaili.

Mirëpo, një propozim të tillë e kundërshtoi edhe gjykatësja e rastit Valentina Sopjani, e cila deklaroi se arsyet e refuzimit të një propozimi të tillë do t’i elaborojë në vendimin përfundimtar.

Seanca e radhës u caktua më 6 tetor 2022.

Lidhur me këtë rast, paditësit Basri Muja dhe Ferdije Etemi kanë parashtruar precizimin e padisë ne aspektin subjektiv, ashtu që si i paditur në këtë çështje kontestimore do të jetë edhe kryeredaktori i Gazetës “Blic”, Ardian Çollaku.

Ndryshe, sipas padisë së 25 qershorit 2014, paditësja Ferdije Etemi në cilësinë e kryetares së Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe Basri Muja në cilësinë e drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, kanë ushtruar padi për shpifje dhe fyerje ndaj Gazetës “Blic”.

Sipas padisë, thuhet se e paditura duke keqpërdorur pozitën e saj si medium, duke shkelur Kodin Etik të Gazetarisë, me anë të shpifjeve dhe të pavërtetave lanson për opinionin publik informata jo të vërteta, të cilat dëmtojnë rëndë integritetin dhe prestigjin e paditësve.

Mbi këtë bazë, të njëjtit po kërkojnë kompensim dëmi në vlerë prej 100 mijë euro, pra për secilin nga paditësit nga 50 mijë euro, kjo bashkë me kamatë prej 10%, po ashtu nga e paditura kërkojnë edhe shpenzimet e procedurës dhe t’i kërkojnë falje publike për shpifje dhe cenim të autoritetit të tyre.

Ndërsa, në anën tjetër  sipas përgjigjes në padi të 10 qershorit 2019, Gazeta “Blic”, ka kundërshtuar kërkesëpadinë dhe padinë e paditësve, duke kërkuar nga gjykata që të njëjtën ta hudhë poshtë si të pathemeltë dhe të detyrohen paditësit Etemi dhe Muja që t’i paguajnë të gjitha shpenzimet procedurale. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë