Pranon se ishte pjesë e ISIS-it, e akuzuara shprehet e lumtur që është rikthyer në Kosovë

14.01.2020
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Janar 14, 2020

Prishtinë – E akuzuara për pjesëmarrje në grupin terrorist ISIS, Edonë Berisha, në seancën fillestare të mbajtur të martën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e ka pranuar fajësinë për këtë vepër penale.

Paraprakisht, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Florije Shamolli, e akuzuara Berisha është  deklaruar fajtore dhe tha se në Siri kishte shkuar për të qenë sa më afër fëmijëve të saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E pranoj fajësinë për këtë vepër penale. Jam fajtore. Qëllimi im ka qenë që të shkoj pas fëmijëve të mi, pasi burri im i ndjerë Burim Demolli, i cili kishte shkuar më përpara, ka kërkuar që fëmijët ti ketë pranë vetes, e kjo ka qenë arsyeja, që unë të shkoj pas fëmijëve, mos ti lë në duart e tij”, tha e akuzuara Berisha.

Ky pranim fajësie nuk është kundërshtuar nga prokurorja Shamolli, e as nga mbrojtësja e të akuzuarës, avokatja Rita Matoshi dhe si i tillë është aprovua nga gjykatësja Valbona Selimaj, me arsyetimin se pranimi ishte bërë vullnetarisht nga e akuzuara, pa presion dhe se gjente mbështetje në shkresat e lëndës.

Më pas, e akuzuara Berisha ka njoftuar gjykatën se kishte tentuar të kthehej në Kosovë pas shkuarjes në Siri, por që ishte ndaluar nga pjesëtarë të grupit terrorist ISIS.

“Qëllimi jem ka qenë që të kthehem në Kosovë edhe përkundër tentativës për tu kthyer kemi ra në duar të ISIS dhe na kanë ndaluar dhe tani ndihem mirë që jam në vendin tim me fëmijët e mi”, shtoi e akuzuara.

Avokatja Matoshi, ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të merr parasysh si rrethana lehtësuese pranimin vullnetar të fajësisë nga e mbrojtura e saj, pendimin e sinqertë, bashkëpunimin me organet e rendit dhe gjendjen e rënduar ekonomike të klientes së saj.

“Propozoj që gjykata të merr si rrethana lehtësuese pranimin e fajit, pendimin e saj, bashkëpunimin me organet që nga fillimi, gjendjen ekonomike ngase e njëjta është nën vetushqyese, është e papunë, fakti që nuk ka qenë asnjëherë më parë e dënuar për vepër penale si dhe premtimin se nuk do të përsërisë veprime të tilla në të ardhmen”, tha avokatja Matoshi.

Shpallja e aktgjykimit në këtë çështje penale do të bëhet më 15 janar 2020, nga ora 09:00

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 30 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Edonë Berishës, për shkak të veprës penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2.

Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, Edonë Berisha akuzohet se me dashje ka marrë pjesë në veprimtarinë e organizatës terroriste, në atë mënyrë që ka shkuar në Siri dhe i është bashkëngjitur organizatës terroriste, militante, ekstremiste ISIS, duke e përkrahur këtë organizatë dhe veprimtaritë e saj dhe qëllimin që duke luftuar padrejtësisht të detyrojnë qeverinë siriane, e pastaj edhe qeveritë e shteteve tjera që ta lënë pushtetin dhe seriozisht ta destabilizojnë dhe të shkatërrojnë strukturën kushtetuese, ekonomike dhe sociale dhe të krijojnë “Shtetin Islamik Iraku dhe Levant”.

Gjithnjë sipas akuzës, pasi që bashkëshorti i të akuzuarës Edonë Berisha, ka vendosur dhe ka shkuar në Siri që t’i bashkëngjitet luftës për “Shtetin Islamik”, edhe pse e ka ditur se veprimi i tillë është kundërligjor, më 26 gusht 2014, e akuzuara së bashku me katër fëmijët e nga shtëpia e saj me një veturë i kishte marrë personi Mendus Selimoviq, e cili i ka dërguar deri në pikën kufitare të Hanit të Elezit, e nga aty me taksi kanë shkuar në aeroportin e Shkupit.

PSRK-ja pretendon se nga aeroporti i Shkupit, kanë udhëtuar për në Turqi, e pastaj në Siri, ku e akuzuara Berisha edhe është regjistruar si pjesëtare e grupi terrorist ISIS, duke e përdorur shumën e rregullt mujore të të hollave nga Shteti Islamik, i ka ofruar shërbime logjistike bashkëshortit, i cili aktivisht ka luftuar, e gjithë kohën duke e ndërruar vendbanimin varësisht nga ndryshimi i territorit brenda Sirisë, derisa është dorëzuar tek forcat kurde në kampin “Roj”, e pastaj nga aty me ndihmën e ushtrisë Amerikane i kanë deportuar në Kosovë, më 22 prill 2019. /BetimipërDrejtësi