Pranon fajin, dënim me kusht ndaj të akuzuarës se kundërligjshëm përfitoi statusin e veteranes

Gjykata1 (1)
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Janar 23, 2020

Pejë – Gjashtë muaj burgim me kusht ka shqiptuar të enjten Gjykata Themelore në Pejë, ndaj Feride Beqirit, e akuzuar se me dokument të falsifikuar ka tentuar të përfitojë nga pensioni i veteranëve të luftës.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtari Shaqë Curri, dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarës, nuk do të ekzekutohet nëse e njëjta nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj saj, është shqiptuar edhe dënimi plotësues, shpallja e aktgjykimit.

Ajo është obliguar edhe në pagimin e shpenzimeve procedurale në shumë prej 50 euro, paushallin gjyqësor prej 20 euro dhe 30 euro për taksën për kompensimin e viktimave të krimit.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Lumturije Vuçetaj, e akuzuara deklaroi se e pranon fajësinë për veprën e cila i vihet në barrë.

“Premtoj që në të ardhmen nuk do të përsëris asnjë vepër penale”, ka thënë ajo.

Pranimin e fajësisë e mbështeti edhe mbrojtësi i sipas detyrës zyrtare, avokati Bajram Lajqi, duke kërkuar që kjo të merret parasysh si rrethanë lehtësuese me rastin e marrjes së vendimit mbi dënim.

Po ashtu, pranimin e fajësisë nuk e kundërshtoi as prokurorja Vuçetaj, e më pas e aprovoi edhe gjyqtari Curri.

Ndryshe, në seancën fillestare, para leximit të aktakuzës, prokurorja Vuçetaj konstatoi se e bën plotësimin e aktakuzës, duke i propozuar gjykatës  që  ndaj të pandehurës të shqiptohet dënimi plotësues, publikimi i aktgjykimit sipas nenit 70 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës së ngritur me 23 maj 2019 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Feride Beqiri  akuzohet se me 3 prill 2018, në Departamentin e Familjeve të Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës  dhe Viktimave Civile, Zyra në Pejë pranë MPMS-së, ka kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme”, nga neni 403, paragrafi 2, e lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 28 të KPRK-së.

Në akuzë thuhet që e akuzuara në organin e lartcekur, ka prezantuar dokument të falsifikuar se kinse e njëjta është veterane luftëtare e UÇK-së, me qëllim që të përfitojë pagën e statusit të veteranit luftëtar. /BetimipërDrejtësi