Pranon fajin, burg me kusht dhe me gjobë ndaj të akuzuarit se vodhi pjesë të veturave të vjetra

foto nga seanca, 13 gusht, vjedhje e rende.
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Gusht 13, 2019

Podujevë – I akuzuari për vjedhje të rëndë, Ardian Berisha, është dënuar me një vit burgim me kusht, dhe me 300 euro gjobë, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, dega Podujevë.

Sipas aktgjykimit të shpallur të martën, dënimi me burgim, nuk do të ekzekutohet në afat prej dy vjetësh, nëse i akuzuari nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, gjobën në shumë prej 300 eurosh, ai është obliguar ta paguajë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

E nëse dënimi me gjobë nuk do të paguhet në afatin e paraparë, ky dënim do t’i  shndërrohet me burg, duke u llogaritur 20 euro për një ditë.

Gjithashtu, i akuzuari Berisha, është ngarkuar edhe me shpenzimet e procedurës dhe atë 20 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit.

Sipas gjykatësit Minir Hoti, ndaj të akuzuarit Berisha, me rastin e vendosjes së llojit dhe lartësisë së dënimit, janë përdorur dispozitat për zbutjen e jashtëzakonshme të dënimit në pajtim me rrethanat e rastit.

Ky aktgjykim është shpallur pasi që i akuzuari Berisha, e ka pranuar fajësinë për veprën penale më të cilën ngarkohej.

“E pranoj fajin, është e vërtetë si në aktakuzë, është hera e parë që jam para gjykatës. Ky rast nuk do të përsëritet më asnjëherë. Lus gjykatën që të më shqiptojë një dënim sa më të lehtë sepse jam në Itali dhe punoj atje dhe kam krijuar familje. Sendet menjëherë i janë kthyer të dëmtuarit. Kam qenë shumë i ri dhe nuk i kam kuptuar veprimet e mia”, ka deklaruar ai.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Rexhep Maqedonci dhe më pas është aprovuar nga gjykatësi Minir Hoti.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 5 janar 2018, Ardian Berisha akuzohet se më 24 qershor 2013, rreth orës 23:00, në fshatin Penuhë të Podujevës, në depon e veturave të vjetra “Te Geti”, të të dëmtuarit Ekrem Zhegrova, në bashkëveprim me dy persona të panjohur, e kanë kaluar rrethojën e depos dhe nga aty me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete ose për personin tjetër, kanë marrë pjesë të veturave të vjetra si: 25 alternatorë dhe 70 kokë të motorit, të gjitha në vlerë prej 300 euro.

Siç thuhet më tej në aktakuzë, pasi që kanë dalë nga depoja, çantën dhe sendet i kanë lëshuar në tokë dhe kanë ikur në drejtim të panjohur, pasi që pronari i objektit e ka vërejtur dhe ka lajmëruar të dëmtuarin.

Me këtë, ai ngarkohej me veprën penale “vjedhje e rëndë” nga neni 327 par.1 nën par.1.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi