Pranon se 7 kg mariuhanë i kishte fshehur në një enë, i akuzuari dënohet me dy vjet burg

10 korrik foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Korrik 10, 2019

Pejë – Pasi ka pranuar fajësinë se në një enë të madhe, kishte fshehur shtatë kilogram marihuanë, i akuzuari Lutfi Kamberaj, është dënuar me dy vjet burg dhe 300 euro gjobë, nga Gjykata Themelore në Pejë.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj në dënimin me burgim të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 24 prill 2019, e tutje.

Ndaj të akuzuarit është shqiptuar edhe dënim plotësues, konfiskimi i narkotikut dhe telefonit “Iphone 5”, dhe ndaj tij është vazhduar masa e paraburgimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari është detyruar që të paguajë shpenzimet e procedurës penale në shumë prej 100 euro, brenda afatit prej 15 ditësh, pasi aktgjykimi të merr formës e prerë.

Paraprakisht, i akuzuari Kamberaj, në seancën fillestare të së mërkurës, e ka pranuar fajësinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj i akuzuari Lutfi e ka pranuar fajësinë për veprën penale të narkotikëve.

Për  pranim të fajësisë nga ana e të akuzuarit, mbrojtësi i tij, avokati Gëzim Baloku ka thënë se kishte biseduar mjaftueshëm me të mbrojturin e tij dhe pranimi i fajit, është bërë pas këshillave të tij dhe pa presion nga askush.

Prokurorja Disha-Haxhosaj nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë, ngase sipas saj, një gjë e tillë ka mbështetje në provat e aktakuzës, e që më pas është aprovuar edhe nga kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj.

Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 25 qershor 2019, e ngarkon të pandehurin Lutfi Kamberaj, se më 24 prill 2019, rreth orës 14:00 në banesën e tij në Pejë, me qëllim të shitjes apo shpërndarjes ka poseduar substancë narkotike të llojit mariuhanë, në sasi prej 7 kg e 101.6 gramë.

Në aktakuzë thuhet se pas kontrollit dhe bastisjes së banesës së tij nga ana e policisë, në një enë të plastikës (bure), është gjetur dhe sekuestruar narkotiku. /BetimipërDrejtësi