Pranon fajësinë punonjësi i OJQ-së që akuzohet se keqpërdori paratë e mbledhura për shërimin e të sëmurit

20210412_133322
Author

Raporton: Medina KADRIU

Prill 12, 2021

Prishtinë – Të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, punonjësi i Organizatës Jo-Qeveritare “Shpëto jetë”, Xhavit Gashi, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, e ka pranuar fajësinë.

Bashkë me Gashin, si persona zyrtarë në këtë organizatë, janë akuzuar edhe Abedin Hysa dhe Bekim Hamiti, por pasi për ta kishte përfunduar gjykimi në vitin 2016, ishte veçuar procedura ndaj të akuzuarit Gashi dhe lënda e tij po gjykohet nga gjykatësja Alltene Murseli.

Paraprakisht, para gjyqtares Murseli, kjo lëndë i ishte ndarë gjyqtares Violeta Namani, por e njëjta është avancuar në Departamentin Special.

I akuzuari Gashi ka deklaruar se nuk ka nevojë t’i lexohet sërish aktakuza dhe se të njëjtën e kupton.

I njëjti më pas deklaroi se e pranon fajësinë për këtë vepër penale, ku duke u përgjigjur në pyetjet e kryetare se trupit gjykues, Alltene Murseli, ka mohuar se pranimin e fajësisë po e bën nën kërcënim apo ndikim.

Gashi deklaroi se pranimin e fajësisë po e bën në mënyrë vullnetare dhe se është i vetëdijshëm për pasojat e një veprimi të tillë.

Prokurorja Besa Limani nuk e ka kundërshtuar këtë pranim të fajësisë, pasi deklaroi se konsideron se është bërë me vullnet dhe se është në përputhje edhe me provat e faktet sikurse në shkresa të lëndës.

Kurse, i akuzuari deklaroi se nga gjykata kërkon një masë më të lehtë dhe se është penduar.

Gjykatësja Mirseli miratoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari, pasi tha se është konform dispozitës 248 të Kodit të Procedurës penale.

Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja Limani deklaroi se konsideron se është vërtetuar gjendja faktike se i pandehuri ka kryer veprën penale me të cilën është ngarkuar në aktakuzë dhe ishte objekt i shqyrtimit.

Sipas saj, kjo gjendje faktike është vërtetuar nga dëshmia e të dëmtuarit Habib Nuredini e dhënë në të cilat fazat e procedurës penale, si dhe nga deklarata e dëshmitares Liridona Hasani.

“Si dhe nga provat materiale librat e arkës të OJQ-së “Shpëto jetë”, në të cilën ka rezultuar se shumën prej 8030 euro e 46 cent kjo shoqatë e ka marrë në emër të dëmtuarit G.N.  po ashtu, nga provat materiale dëftesë pagesa e datës 28 dhjetor 2011 ka rezultuar se në Suharekë i pandehuri Xhavit Gashi në bashkëkryerje me Abedin Hysa, pa autorizimin dhe lejen e të dëmtuarit Habib Nuredini kanë vazhduar të marrin mjete në emër të dëmtuarit Gezim Nuredini”, ka thënë Limani.

Tutje, ajo tha se po ashtu konsideron se gjendja faktike është vërtetuar edhe nga vet pranimi i fajësisë nga ana e të pandehurit.

“Ku i njëjti ka pranuar veprën penale për të cilin ngarkohet dhe në fund duke pas parasysh të gjitha provat dhe vet pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit mbetem pranë aktakuzës dhe konsideroj se i pandehuri me dashje direkte dhe me qëllim të përfitimin të materialeve të kundërligjshme ka kryer këtë vepër penale.  Propozoj që të pandehurin ta shpall fajtor dhe gjatë matjes së dënimit të marrë parasysh të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese”, ka thënë ajo.

E njëjta si rrethanë rënduese e ka konsideruar faktin se i pandehuri me dashje ka keqpërdorur dhe shfrytëzuar fatkeqësinë e qytetarit të sëmurë, me qëllim që t’i realizoj vetes përfitim pasuror të kundërligjshëm.

“Ndërsa, si rrethanë lehtësuese e konsideroj faktin se i njëjti ka pranuar veprën penale për të cilën ngarkohet”, ka thënë ajo.

E i akuzuari Gashi deklaroi se dëshiron t’i kërkoj falje familjes edhe pse të njëjtët nuk janë prezent, duke shprehur sërish pendimin e tij.

E duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Vesel Ismaili, ai deklaroi se ai ka qenë vetëm punëtor në këtë organizatë, si dhe se ka pasur autorizim nga drejtori i shoqatës.

“S’jom kon as drejtor as kurgjo, kam pas autorizim prej drejtorit të shoqatës. Veç punëtor jom kon’, ka thënë ai.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast pritet të bëhet me 14 prill, në orën 9:00.

Ndryshe, më 23 dhjetor 2016, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur fajtor të bashkakuzuarin e Gashit, Abedin Hysën, duke e dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, i cili nuk do të ekzekutohej nëse ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale në periudhë prej një viti.

Kurse, ndaj Bekim Hamitit ishte refuzuar akuza për shkak të parashkrimit të veprës penale.

Kjo gjykatë për Hysën e Hamitin gjatë këshillimit dhe votimit kishte bërë rikualifikimin e veprës penale prej “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” në veprën penale “keqpërdorim i besimit”.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 28 mars 2014, të akuzuarit si persona zyrtarë të OJQ-së “Shpëto jetë”, duke shfrytëzuar detyrën kanë tejkaluar kompetencat me qëllim që të përfitojnë dobi materiale për vete.

Sipas akuzës që nga viti 2010-2011, i pandehuri Abedin Hysa, në cilësi të përfaqësuesit të kësaj organizate, Bekim Hamiti në cilësi të drejtorit dhe Xhavit Gashi, si i punësuar, në bashkëkryerje kanë keqpërdorur dokumentacionin mjekësor dhe autorizimin e të dëmtuarit H.N dhe në emër të fëmijës së tij që vuante nga një sëmundje e rëndë, G.N, kanë kërkuar të holla nga qytetarë në vende të ndryshme të Kosovës si në Viti, Gjilan, Shtime, Ferizaj dhe Lipjan.

Akti akuzues thotë se prej 31 janar 2010, deri më 28 shkurt 2010, kjo shoqatë në emër të G.N ka realizuar mjete në shumë prej 8.030.46, ndërsa prej 1 mars 2010, deri më 31 mars 2010, në emër të dëmtuarit kanë grumbulluar 7.155.30 euro, ku shuma e përgjithshme për këtë periudhë është 15.185.76 euro dhe prej këtyre vetëm 4200 euro i janë dorëzuar të dëmtuarit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 15 mars 2010, në fshatin Gumnasellë, Komuna e Lipjanit, në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit, të pandehurit Hysa dhe Hamiti, ia kanë ofruar faturën fiktive prej 3000 eurosh për ta nënshkruar, kinse se ka pranuar këtë shumë të të hollave.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit Abedin Hysa e Bekim Hamiti janë arsyetuar te i dëmtuari se në automjetin e kësaj shoqate, në një autolarje në Lipjan ia kanë vjedhur faturat e shpenzimeve të shoqatës, ndërsa më 28 dhjetor 2011, Abedin Hysa dhe Xhavit Gashi me qëllim të përvetësimit material për vete kanë vazhduar në Suharekë që të mbledhin të holla në emër të G.N edhe pa autorizim të dëmtuarit. /BetimipërDrejtësi