Pranon fajësinë për shpërdorim të pasurisë së huaj, dy të tjerë për veprat penale të fajdës dhe mashtrimit deklarohen të pafajshëm

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Lipjan- I akuzuari për veprën penale “Shpërdorim i pasurisë së huaj”, E.G. është deklaruar fajtorë në seancën e shqyrtimit të dytë gjyqësor, në Gjykatën Themelore në Prishtinë dega në Lipjan.

Së bashku më të akuzuarin G. po akuzohet edhe I.Z. me kryerjen e veprës penale “Fajdeja” dhe i akuzuari A.G. me veprën penale “Mashtrimi”, këta të dy u deklaruan të pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pandehuri i parë E.G.  deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale më të cilën ngarkohet, pasi paraprakisht mbrojtësi i tij, avokati Qëndrim Reçica e njoftoi gjykatën se nuk kanë paraqitur kundërshtim dhe e njoftoi të njëjtën se klienti i tij dëshiron të deklarohet lidhur me pranimin e fajësisë.

“Ndihem i penduar dhe nuk do të ndodh më”, ka thënë Gerbeshi.

Kurse, mbrojtësi i të pandehurit Gerbeshi, avokati Reçica ka thënë se e mbështet pranimin e fajësisë të të mbrojturit të tij, pasi pranimi është bërë në mënyrë vullnetare dhe pasi të njëjtit iu janë shpjeguar benefitet që i parasheh ligji me rastin e pranimit të fajësisë.

Ai gjykatës i propozoi që ta aprovojë pranimin e fajësisë, ndërsa me rastin e caktimit të sanksionit penal të marrë për bazë rrethanat lehtësues, pasi që i njëjti sipas tij, nuk ka qenë i dënuar asnjëherë me parë, është i moshës relativisht të re, premtimin se në të ardhmen nuk do të kryej vepër penale po ashtu kërkim faljen ndaj të dëmtuarit,

Prokurori Ali Ajdini lidhur me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit G. sa i përket pikës  1 të dispozitivit ka thënë se pajtohet, andaj gjykatës i propozoi që ta shpall fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit.

Përmes aktvendimit gjykatësi Avdirrahman Gashi e ka pranuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit G., ndërsa shpalljen e vendimit për të njëjtin e ka shtyrë deri në përfundimin e shqyrtimit ndaj të pandehurve të tjerë.

Ndërsa, gjatë shqyrtimit të dytë, dy të pandehurit e tjerë, I.Z. dhe A.G. u deklaruan të pafajshëm.

Mbrojtësja e të akuzuarit të dytë, Medina Mehmeti tha se mbesin në tërësi pranë kundërshtimit dhe kërkesës për hudhje të aktakuzës, me ç’rast i propozoi gjykatës që aktakuza e prokurorisë të hudhet si e pa mbështetshme në prova.

Kurse, mbrojtësi i të pandehurit të tretë, avokti Beshir Zani, ka thënë se, meqenëse vonë e ka pranuar autorizimin dhe lëndën, nuk ka mundur t’i paraqes me kundërshtimet në këtë fazë të procedurës, por mbrojtjen do ta paraqesin gjatë shqyrtimit gjyqësor me bindjen se i mbrojturi i tij është tërësisht i pafajshëm për akuzën që e ngarkon.

Ndryshe, në fillim të seancës gjykatësi Gashi ka konstatuar se mbrojtësja e të pandehurit të dytë, avokatja Medina Mehmeti në afatin ligjor ka parashtruar kundërshtim ndaj provave të paraqitura në aktakuzë dhe kërkesë për hudhje të saj.

Prokurori Ajdini në shqyrtimin e dytë deklaroi se mbetët pranë aktakuzës dhe provave të propozuara mbi bazën e të cilave prokuroria do të mundohet ta vërtetoi gjendjen faktike si në aktakuzë.

Sa i përket kundërshtimit të paraqitur nga mbrojtësja e të pandehurit të dytë dhe kërkesës për hudhje të aktakuzës të njëjtën e kundërshtoi me arsye se prokuroria ka prova të mjaftueshme mbi bazën e të cilave e ka mbështetur dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Gjykatësi Gashi konstatoi se shqyrtimit i dytë u përfundua ndërsa, me vendim të veçantë do të njoftohen palët që kanë paraqitur kundërshtim ndaj aktakuzës.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 29 dhjetor 2021, i akuzuari E.G. po ngarkohet me veprën penale “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”, kurse i akuzuari I.Z., për veprën penale “Fajde”, ndërsa i akuzuari A.G. me veprën penale “Mashtrimi”.

Sipas kësaj aktakuzës i pandehuri G. në muajin mars 2021 në Lipjan, saktësisht në kompaninë “Auto Center”‘ Rent-A- Car, me pronar I.S., që gjendet afër Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, e ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të personit tjetër e cila iu është besuar atij.

Tutje sipas aktakuzës, në atë mënyrë që sipas autorizimit për qeran e lidhur me shkrim me të dëmtuarin F.T i ka marr dy vetura të tipit “VW Golf 7″, e vlerës së përgjithshme prej 20 mijë euro, dhe tjetrën veturë po ashtu “VW Golf 7”, me vlerë të përgjithshme prej 10 mijë euro, ashtu që, veturën “VW Golf 7′, të vitit të prodhimit 2014, pa të drejtë në emër të borxhit me fajde ia jap si kompensim, të pandehurit të dytë I.Z. ndërkaq, veturën tjetër “VW Golf 7’, viti i prodhimit 2019, në shfrytëzim pa të drejtë ia jep të pandehurit të tretë A.G., me ç’rast, pas hetimit polica përmes vërtetimit mbi kthimin e sendeve ia kthen në pronësi të dëmtuarit.

Me këtë i pandehuri E.G. ka kryer veprën penale “Shpërdorimi i pasurisë së huaj” nga neni 318 paragrafin 3 lidhur me paragrafi1, të Kodit penal të Republikës së Kosovës.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, më datë të pacaktuar gjatë muajit prill- qershor 2021, në Lipjan, i pandehuri I.Z, duke e shfrytëzuar gjendjen ekonomike të tjetrit kontrakton një shumë jo proporcioanle të pasurisë në këmbim të shërbimit i kishte dhënë të dëmtuarit E.G. para më fajde.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, fillimisht shumën prej 2 mijë euro pastaj, shuma ju ishte rritur sipas përqindjes deri në 3 mijë e 700 euro, e pasi që i dëmtuari nuk kishte mundur t’ia kthente borxhin në afat të caktuar, borxhi ju ishte rritur në shumën prej 8 mijë euro.

Me këtë i pandehuri I.Z. ka kryer veprën penale “Fajdeja”, nga neni 331, paragrafi 1, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK-së ).

Sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, i pandehuri A.G., gjatë muajit prill- qershor 2021, në Lipjan, me qëllim të përfitimit të kundërligishme të dobisë pasurore për vete e mashtron të dëmtuarin, Xh.M. në atë mënyrë që, posa e merr në shfrytëzim nga i pandehuri i parë E.G. veturën tipit “VW Golf 7”, duke i fshehur faktet e shtynë të vepron në dëm të pasurisë së tij, ashtu që i thotë se vetura është e familjes se tij, dhe të njëjtën ia jep pasi që i ka obligim financiar në vlerë prej 30 mijë euro.

Me ç’rast policia pas një hetimi preliminar përmes vërtetimit mbi kthimin e sendeve e kthen në pronësi pronarit të kompanisë “Auto Center” Rent-A- Car.

Me këtë i pandehuri A.G. ka kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323 par. 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë