Pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje, por thotë se nuk ka ushtruar ndikim në askënd

Raporton: Gëzim Hasani

Prishtinë – Prokuroria Themelore e Prishtinës po e akuzon Dugagjin Emarllahun se ka kryer dy veprat penale “armëmbajtje pa leje” dhe “ushtrim i ndikimit”. Lidhur me këtë, Emerllahu, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të mërkurën, pranoi para trupit gjykues se është fajtor për pikën e parë të akuzës, përkatësisht për veprën e armëmbajtjes pa leje. Mirëpo, sa i përket pikës së dytë, e cila e ngarkon atë me veprën e ushtrimit të ndikimit, i njëjti tha se akuza nuk qëndron dhe nuk ndihet fajtor.

Këto deklarime i pandehuri Emerllahu i bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Dulina Hamiti.

Gjykatësi Valon Kurtaj, e aprovoi pranimin e fajësisë së Emarllahut për njërën pikë të aktakuzës, për çka aktgjykimin do t’a shpall pas procedimit të procesit penal.

Ndërkaq, shqyrtimi i dytë për paraqitjen e kundërshtimeve të palës mbrojtëse u caktua për 5 qershor 2017, me fillim prej orës 9:30.

Sipas prokurorisë, Emarllahu në janar të viti 2014 ishte takuar me dy zyrtarë policor, Florim Krasniqi dhe Rrahim Muja, ku ishte prezantuar si biznesmen. Nga të njëjtit kishte kërkuar që numrin telefonik të bashkëshortes së tij, ta vendosin nën masat e fshehta, si dhe kishte kërkuar që të gjitha hyrje-daljet e sms-ve t’ia dorëzojnë përmes një CD-je. E të gjitha këto favore i kishte kërkuar, duke i’u premtuar policëve Krasniqi dhe Muja, punësim për familjarët e tyre.

Ndërkaq, plotë gjashtë muaj pas takimit dhe ushtrimit të ndikimit te zyrtarët policor, pas një kontrolli të policisë në banesën e Emarllahut, ishte gjetur një revole e tipi “Beretta”, së bashku me një karikator dhe 14 fishekë, të cilat dhe ishin konfiskuar nga ana e policisë.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë