Pranon fajësinë ish-konsulli i akuzuar për mosraportim të pasurisë

Raporton – Albina KRASNIQI

Prishtinë – Ish–konsulli në ambasadën e Kosovës në Gjermani, Blerim Canaj ka pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Canaj po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se në  cilësinë e zyrtarit të lart si ish- Ministër-Këshilltar i Republikës së Kosovës në Berlin edhe pse ka plotësuar në tërësi formularin për deklarimin e pasurisë, të njëjtin nuk e ka paraqitur me kohë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ajshe Ferati, i akuzuari Canaj ka deklaruar se e ndjen veten fajtor për veprën penale e cila i vihet në barrë dhe se i njëjti pas disa ditëve prej kur është njoftuar për hapjen e afatit për deklarimin e pasurisë, e ka dorëzuar formularin në zyrën e personelit.

“E ndjej veten fajtor për veprën penale, unë edhe pse pas tri/katër dite pasi që jemi njoftuar nga zonja Katarina Kërçuku, unë kam dorëzuar deklarimin tim e pasurisë në zyrën e personelit pasi që edhe njoftimi na ka ardhur në zyrën e personelit dhe unë e kam marrë si person të autorizuar Katarinën dhe kom mendu që ka përfunduar obligimi im i deklarimit të pasurisë”, ka thënë i akuzuari Canaj.

Fillimisht, Canaj ka thënë se e ka të çartë që ka qenë një periudhë kohore e caktuar për dorëzimin e formularit, por që nuk është faji i tij që i njëjti nuk ka shkuar me kohë.

“E kom të çartë që ka qenë një datë e caktuar që nuk ka shku formulari, po jo që s’e kom qu unë, në atë pikë besoj që normal i fajshëm, por fakti që unë e kom dorëzu atë shumë më herët, ku osht faji jem që nuk ka shku ajo, nëse osht faj pse ka shku me vonesë atëherë i fajshëm, por nuk është faji im”, ka thënë i njëjti.

Më pas, i njëjti ka thënë se pas disa bisedimeve me kolegët e tij e ka vrenjtur që nuk ka marrë ndonjë konfirmim për deklarimin e pasurisë dhe më pas ka kuptuar që deklarimi është dërguar me vonesë.

“Më vonë, pas diskutimeve me kolegë lidhur me deklarimin e pasurisë se a e kemi dorëzuar apo jo, jam njoftuar se unë nuk në  mungesë të konfirmimit kom vërejt se ka mundur me qenë jo-raportim dhe menjëherë kam kontaktuar me Katarinën si dhe nga ajo kam kuptuar se edhe unë edhe Katarina e kemi dërguar formularin e deklarimit të pasurisë mirëpo me vonesë”, ka deklaruar Canaj.

Tutje, i akuzuari Canaj ka shtuar se nuk ka pasur ndonjë tendencë për mos dorëzimin e formularit të deklarimit të pasurisë dhe ka propozuar gjykatës që t’ia falë këtë gabim ose t’i shqiptojë një dënim sa më të butë.

“Unë gjithmonë e kam deklaruar pasurinë në afat të rregullt dhe nuk ka pasur kurrfarë tendence që unë të mos e dorëzojë një formular të tillë, i propozojë gjykatë, e lus gjykatën që mundësisht të ma fal këtë gabim apo mundësisht të më shqiptojë një dënim sa më të butë”, ka deklaruar i njëjti.

Me pranimin e fajësisë është pajtuar prokurorja Ferati dhe të njëjtin e ka aprovuar gjyqtari i rastit Eroll Gashi.

Shpallja e aktgjykimit për këtë çështje penalo-juridike do të bëhet më 3 qershor 2022.

Ndërkaq, sipas aktakuzës së ngritur më 7 dhjetor 2021, i akuzuari Blerim Canaj më 19 qershor 2020 në cilësinë e zyrtarit të lartë publik nuk e ka bërë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë si ish- Ministër-Këshilltar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin.

Në aktin akuzues thuhet se i akuzuari Canaj edhe pse e ka plotësuar në tërësi formularin për deklarimin e pasurisë, të njëjtin nuk e ka dorëzuar brenda afatit për paraqitjen e deklaratës edhe përkundër faktit se është njoftuar në kohë nga organet kompetente dhe se sipas ligjit ka qenë i obliguar që një gjë të tillë ta bëjë për vitin 2019, që nga 1 marsi deri më 19 qershor të vitit 2020 në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Prishtinë.

Me këtë, Canaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare nga neni 430 par.1 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë