Pranon fajësinë i akuzuari se në mënyrë ilegale preu 7 trungje ‘Bungu’ në Viti

Raporton: Genta PAJAZITI

VitiI akuzuari Hazir Ahmeti është deklaruar fajtor se në tetor të 2018-ës, preu 7 trungje të llojit “Bungu”, në fshatin Letnicë të Vitisë.

Këtë deklarim, i akuzuari Ahmeti e bëri në seancën e shqyrtimit gjyqësor, të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Rozelida Manastiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E pranoj fajësinë dhe pse unë veç dy herë kam shku në mal”, deklaroi i akuzuari Ahmeti.

Ky pranim i fajësisë nuk u kundërshtua nga prokurorja Manastri dhe më pas si i tillë u aprovua nga gjykatësi Nexhat Aliu.

Gjykatësi Aliu njoftoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet brenda afatit ligjor.

Ndryshe, prokurorja Manastiri, në seancën fillestare, kishte bërë përmirësimin në pjesën e të dhënave personale, ku në vend të mbiemrit Nura duhet të jetë mbiemri Ahmeti, si dhe muajit të lindjes, ku në vend të majit mars duhet të jetë dhjetor, ndërsa pjesa tjetër mbetet e pa ndryshuar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të ngritur më 23 gusht 2018, Hazir Ahmeti, akuzohet se ka  kryer veprën penale “vjedhje pylli” nga neni 358 paragrafi 2, në lidhje me paragrafin 1 të KPRK-së.

Në aktakuzë, thuhet se i pandehuri më 11 tetor 2018, rreth orës, 16:30, në pyllin shtetëror në territorin e fshatit Letnicë, në vendin e quajtur “Ibrishim”, me qëllim të vjedhjes me sharrë-motorike, i ka prerë 7 trungje bungu, me diametër 130-35 cm, në lartësi 33 cm, në gjatësi 19, vëllim 2,88 m3.

Në aktakuzë thuhet së me këtë, i pandehuri APK-s në Viti i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 794 euro. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë