Pranon fajësinë i akuzuari se kishte bërë dorëzim të pasaktë të pasqyrave të informatave për punëtorët në ATK

Raporton: Doruntina MEHMETI

Mitrovicë- Në shqyrtimin fillestar të së enjtës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, i akuzuari për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, Halil Ahmeti, e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

Ahmeti po akuzohet se gjatë viteve 2013-2016 në cilësinë e pronarit të kompanisë SHPK “Lili Group”, ka bërë dorëzim të pasaktë, të pakompletuar, të pasqyrave të informatave për punëtorët e kompanisë së tij në Agjencinë Tatimore të Kosovës (ATK), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Ahmeti e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Njazi Rexha.

Ai tha se nuk ka qenë në dijeni për ato ndodhi, pasi sipas tij ajo është detyrë e kontabilistit të kompanisë, ndërsa shtoi se menjëherë posa është vënë në dijeni për ato probleme, ua ka paguar kontributet punëtorëve ashtu siç përcaktohet me ligj.

I akuzuari Ahmeti deklaroi se i posedon vërtetimet e bankës për pagesat që ua ka bërë punëtorëve, pasi ka marrë përgjegjësi si drejtor i firmës për t’i paguar detyrimet ndaj të njëjtëve.

Për të vërtetuar deklarimet e tij, këto vërtetime i akuzuari Ahmeti detyrohet t’ia sjell gjyqtarit të rastit, Radosllav Markoviq, gjatë ditës së sotme.

Tutje, prokurori Rexha i propozoi gjyqtarit që të aprovojë pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, pasi që pranimi i fajësisë u bë në mënyrë vullnetare, pa presion, në konsultim me mbrojtësin e tij dhe në pajtim me shkresat e lëndës.

Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ahmeti, avokati Shyqyri Syla i propozoi gjyqtarit që të aprovojë pranimin e fajësisë nga i mbrojturi i tij.

“Me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit, i propozoi gjykatës që ndaj të mbrojturit tim të ketë parasysh rrethanat lehtësuese se personi është person familjar, e ka bërë kompensimin e këtyre parave menjëherë posa e ka parë gabimin, qëndrimin korrekt në procedurë, si dhe faktin se të dëmtuarit nuk i bashkëngjiten ndjekjes penale dhe nuk kërkojnë kompensim dëmi”, shtoi avokati Syla.

Avokati Syla po ashtu propozoi që në mungesë të rrethanave rënduese gjykata të shqiptojë një dënim sa më të butë ndaj të mbrojturit të tij.

Në këto rrethana, pasi janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore, gjyqtari i rastit Radosllav Markoviq aprovoi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Halil Ahmeti.

Për shkak të angazhimeve të gjyqtarit, shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 6 qershor 2022.

Ndryshe, aktakuza ndaj Halil Ahmetit është ngritur më 25 mars 2019, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Ai akuzohet se gjatë viteve 2013-2016, në cilësinë e pronarit të kompanisë SHPK “Lili Grop” me seli në Mitrovicë, kishte tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë për vete, në kundërshtim me nenin 13, lidhur me nenin 1, paragrafi 8, pika 1 të Ligjit për Administratat Tatimore.

Sipas aktakuzës, Ahmeti kishte bërë dorëzim të pasaktë (jo komplet) të pasqyrave të informatave për punëtorët në ATK. Aty thuhet se pagën bruto për vitet 2013, 2014, 2015 dhe 2016, për punëtorët: Hasime Hajra, Mehdi Hyseni, Hidajete Beka, Sevdije Dibrani, Sebahate Kuqi, Miradije Ademi, Gyltene Sefa, Mevlude Haxha, Ganimete Skenderi, Florina Rexhepi, Sheribane Mikushnica, Qamile Ferizi, Aferdita Jashari, Sadete Latifi, Fahrije Peci, Hala Rexhepi dhe Remzi Aliu, kishte deklaruar në ATK 216 euro, e që sipas kontratës kornizë për secilin punëtor kishte qenë 250 euro.

Siç thuhet në aktakuzë, punëtorja Hasime Hajra në pagë ishte dëmtuar për vitet 2013, 2014, 2015, 2016, gjithsej në shumën prej 939 euro, Mehdi Hyseni në pagë ishte dëmtuar për vitet 2013, 2014, 2015 dhe për vitin 2016, në shumën prej 939 euro e 34 centë, Hidajete Beka në pagë ishte dëmtuar për vitet 2013, 2014, 2015, dhe për vitin 2016, në shumën prej 1 mijë e 430 euro e 9 centë, Sevdije Dibrani në pagë ishte dëmtuar për vitet 2013, 2014, 2015, dhe për vitin 2016, në shumën prej 889 euro e 3 centë, Sebahate Kuqi në pagë ishte dëmtuar prej vitet 2013, 2014, 2015 dhe për vitin 2016, në shumën prej 889 euro e 24 centë, Miradije Ademi në pagë ishte dëmtuar prej vitet 2013, 2014, 2015 dhe për vitin 2016, në shumë prej 989 euro e 53 centë.

Tutje thuhet se Gyltene Sefa në pagë ishte dëmtuar për vitet 2013, 2014, 2015 dhe për vitin 2016, në shumë prej 889 euro e 21 centë, Mevlude Haxha në pagë ishte dëmtuar për vitet 2013, 2014, 2015 dhe 2016, në shumë prej 889 euro e 21 centë, Ganimete Skenderi në pagë ishte dëmtuar për vitet 2015, 2016 dhe 2017, në shumë prej 341 euro, Florina Rexhepi në pagë ishte dëmtuar për vitet 2014, 2015 dhe 2016, në shumën prej 775 euro, Sheribane Mikushnica në pagë ishte dëmtuar për vitet 2014, 2015 dhe 2016, në shumë prej 775 euro, Qamile Ferizi në pagë ishte dëmtuar në vitet 2014, 2015, 2016, në shumën prej 775.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Aferdita Jashari në pagë ishte dëmtuar prej vitet 2014, 2015, 2016, në shumën prej 775 euro, Sadete Latifi në pagë ishte dëmtuar prej vitet 2013, 2014, 2015, 2016, në shumën prej 889 euro e 13 centë, Fahrije Peci në page ishte dëmtuar prej vitet 2013, 2014, 2015, 2016, në shumë 889 euro e 21 centë, Hala Rexhepi në pagë ishte dëmtuar prej vitet 2013, 2014, 2015, 2016, në shumën prej 889 euro e 21 centë, Remzi Aliu në pagë ishte dëmtuar prej vitet 2013, 2014, 2015, 2016, në shumën prej 889 euro e 21 centë, shuma e përgjithshme e punëtorëve që ishin dëmtuar në pagë është 14 mijë e 854 euro e 26 centë.

Më këtë, Ahmeti po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë