Pranon fajësinë i akuzuari për vjedhje në tentativë të thëngjillit

IMG_2412
Author

Raporton: Flakrona REXHEPI

Prill 7, 2021

Prishtinë – Në shqyrtimin fillestar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Qëndrim Grajqevci pranoi fajësinë për veprën penale vjedhje në tentativë të thëngjillit në vlerë prej 811 euro.

Në pyetjen e gjyqtarit Adnan Kamberi lidhur me aktakuzën, i akuzuari Grajqevci deklaroi se ngjarja kishte ndodhur siç përshkruhet në aktakuzë dhe se i njëjti ndihet fajtor për veprën e kryer, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori i Shtetit, Menduhi Kastrati, tha se nuk kishte vërejtje lidhur me pranimin e fajësisë nga i pandehuri, ndaj në këto rrethana, gjyqtari Kamberi konstatoi se pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë të vullnetshme dhe si e tillë u pranua nga gjykata.

I pandehuri Rajqevci deklaroi se pendohet për veprën e kryer dhe i premtoi gjykatës se nuk do e përsërisë një gjë të tillë.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do bëhet me datë 8 prill 2021 në orën 8:30.

Ndryshe, Qëndrim Grajqevci ngarkohet me veprën penale “Vjedhje në tentativë” nga neni 325 par.1 lidhur me nenin 28 të KPRK-se.

Sipas aktakuzës së ngritur me datën 20 gusht 2018 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, rreth orës 20:00, në Mihjen Sipërfaqësore në Mirash, me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim material të kundërligjshëm, ka shkuar me kamionetën e tij, dhe nga shiritat transportues ka vjedhur thëngjill të cilin e ka vendosur në kamionetë, e më pas me të vërejtur policinë, është frikësuar dhe e ka lënë kamionetën në rrugë dhe ka ikur nga aty, me ç’rast dëmi që ka pasur t’i shkaktohet të dëmtuarës ka qenë në vlerë prej 811.2 euro. /BetimipërDrejtësi