Pranon fajësinë i akuzuari për tri raste të prerjes ilegale të pyllit në Viti

Raporton: Genta PAJAZITI

Viti – I akuzuari V.M., në shqyrtimin fillestar të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, e ka pranuar fajësinë për veprën penale të vjedhjes së pyllit.

Pasi që aktakuza është lexuar nga prokurori Halim Borovci, i akuzuari V.M. ka thënë se ndihet fajtor për këtë vepër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, V.M. ka kërkuar nga gjykata që ndaj tij të shqiptohet një dënim sa më i butë, ngase këtë vepër e ka kryer pasi ka qenë i detyruar për shkak të kushteve të rënda ekonomike.

Ai po ashtu ka kërkuar nga gjykata që traktori i cili i është sekuestruar të i lirohet, ngase tani merret me bujqësi.

Pranimi i fajësisë nuk është kundërshtuar nga prokurori Borovci, sipas të cilit një veprim i tillë ka mbështetje në provat e lëndës dhe është bërë në mënyrë vullnetare.

Gjykatësi i çështjes, Nexhat Aliu, e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për nesër (2 qershor).

Sipas aktakuzës së parë të ngritur më 9 mars 2022, V.M, akuzohet se më 13 shtator 2021, në terrenin e fshatin Smirë, Komunë e Vitisë, në vendin e quajtur “Te Bunari i mirë”, me qëllim vjedhje, në pyllin e pronësisë shoqërore administruar nga Agjencisë Pyjore të Kosovës (APK), zyra në Viti, me sharrë motorike ka prerë 24 copa trungje të llojit “Ahu” me diametër 16-18 cm, me gjatësi 10 m dhe me vëllim të përgjithshëm prej 3.10 m3.

Me këtë rast, thuhet se zyrës së APK-së në Viti i ka shkaktuar dëm në shumën prej 418 euro.

Me këto veprime, ai thuhet se ka kryer veprën penale “Vjedhje pylli” nga neni 349, paragrafi 1, të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës së dytë të ngritur më 21 prill 2022, V.M., akuzohet se më 24 mars, në pyllin shtetëror, në territorin e fshatit Smirë, Komuna e Vitisë në vendin e quajtur “Livadhi i  anit”, me qëllim vjedhje, me sharrë motorike ka prerë 46 copa dru të llojit Shkozë-Bung në cung, në diametër 15-20 cm dhe me diametër mesatar në cung në lartësi 17.5 cm dhe lartësi 9 m., me vëllim total 2.67 m3 në shumë prej 347 euro.

Me këtë, thuhet se dëmtoi Departamentin e Bujqësisë dhe Pylltarisë  në Komunën e Vitisë për shumën e deklaruar.

Me këto veprime, ai thuhet se ka kryer veprën penale “Vjedhje pylli” nga neni 349, paragrafi 1, të Kodit Penal.

Ndërsa, sipas aktakuzës së tretë të ngritur më 26 prill 2022, V.M., akuzohet se më  23 shkurt 2022, në terrenin e fshatit Smirë, Komuna e Vitisë në vendin e quajtur “Vorri i Bashotës”, me qëllim vjedhje, në pyllin e pronësisë shoqërore të administruar nga APK, zyra në  Viti, me sharrë motorike i ka prerë 23 copa trungje, 18 të llojit shkozë me diametër 16-18 cm, me gjatësi 12 m, dhe me vëllim të përgjithshëm prej 245 m3.

Me këtë rast, thuhet se zyrës së Agjencisë Pyjore të Kosovës (APK) në Viti i ka shkaktuar dëm në shumën prej 466 euro.

Me këto veprime, ai thuhet se ka kryer veprën penale “Vjedhje pylli” nga neni 349, paragrafi 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç, nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë