Pranon fajësinë i akuzuari për tentim vjedhje në një depo të zdruktarisë në Pozheran

Raporton: Genta PAJAZITI

Viti – I akuzuari Halil Korrani u deklarua fajtor për akuzën se në nëntor të vitit 2020, kishte hyrë në depon e zdruktarisë pronë e të dëmtuarit H.B, për të marrë sende të teknikës së bardhë.

Këtë deklarim i akuzuari Korrani e ka bërë të mërkurën, në seancën fillestare të mbajtur në Gjykatën Themelore në Gjilan dega në Viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Rozelida Manastiri, i akuzuari pranoi fajësinë për veprën penale e cila i vihet në barrë.

“E pranoj fajësinë dhe e ndiej vetën fajtor dhe jam penduar thellësisht për këtë veprim”, deklaroi ai.

Tutje, i akuzuari Korrani ka kërkuar nga gjykata që t’i shqiptohet një dënim më i butë, me arsyetimin se është hera parë që ka rënë ndesh me ligjin.

Ky pranim i fajësisë nuk u kundërshtua nga prokurorja Manastiri, më pas si e tillë u aprovua edhe nga ana e gjyqtarit Nexhat Aliu.

Shpallja e aktgjykimit për këtë çështje penale u tha se do të bëhet brenda afatit ligjor.

Aktakuza ndaj Halil Korranit është ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, më 4 dhjetor 2020.

Ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje e rëndë në tentativë” nga neni 315, paragrafi 1, nën paragrafi 1.1. lidhur me nenin 28 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, më 17 nëntor 2020, rreth orës 23:00, në fshatin Pozheran të Vitisë, më saktësisht në depo e zdruktarisë, pronë e të dëmtuarit H.B, i pandehuri, në bashkëveprim me të miturin A.H., me dashje dhe me qëllim të përvetësim të kundërligjshëm për vete, apo për dikë tjetër, për të vjedhë, shkojnë në vendin e cekur me lartë, ku i pandehuri Halil e hapë me forcë, një pjesë të llamarinës, hynë brenda për të marrë sende të teknikës së bardhë. Mirëpo, aty thuhet se pasi që i dëmtuari thërret policinë sepse dyshon se në depo e tij po kryhet një vjedhje, policia arrin në vendin e ngjarjes e takojnë të pandehurin me të miturin në vendin e ngjarjes dhe i arrestojnë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë