Pranon fajësinë i akuzuari për propagandë terroriste në rrjete sociale

unnamed
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Gusht 27, 2019

Prishtinë – I akuzuari për vepra penale që lidhen me terrorizmin, Berat Qamili, e ka pranuar fajësinë në seancën fillestare të mbajtur të martën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ai akuzohet se përmes rrjeteve sociale kishte përkrahur organizatën terroriste ISIS dhe kishte bërë thirrje për t’u bashkuar në “luftën e shenjtë për xhihad”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale, Merita Bina-Rugova, i akuzuari ka thënë se ndihet fajtor për veprën penale me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Pranoj fajësinë, kam gabu. Prej meje ma këto sene nuk ndodhin pasi tash jam bërë edhe me familje, jam i penduar”, ka deklaruar i akuzuari Qamili.

Me këtë pranim të fajësisë është pajtuar edhe prokurorja Bina-Rugova, e cila ka kërkuar që të aprovohet pasi sipas saj, i akuzuari Qamili ishte konsultuar mjaftueshëm me mbrojtësin e tij.

Mbrojtësi i Qamilit, avokati Gazmend Ismaili, i angazhuar sipas detyrës zyrtare, tha se i mbrojturi i tij ishte konsultuar mjaftueshëm me të, kishte kuptuar natyrën dhe pasojat juridike të pranimit të fajësisë dhe se një akt të tillë e kishte bërë me vullnetin e tij të lirë.

Ai i propozoi gjykatës që ndaj klientit të tij të shqiptohet një dënim sa më i butë dhe më rastin e matjes së dënimit të merren parasysh rrethanat lehtësuese si mosha e re, bashkëpunimi i të akuzuarit me policinë, pendimin për kryerjen e kësaj vepre penale, premtimin se më nuk do të përsërisë vepra të tilla.

Ky pranim i fajësisë është aprovuar edhe nga ana e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Albina Shabani-Rama, e cila njoftoi se shpallja e këtij aktgjykimi do të bëhet më 30 gusht 2019, në ora 10:00.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), aktakuzën ndaj Berat Qamilit e kishte ngritur më 17 janar 2018, për shkak se gjatë vitit 2017, në vazhdimësi përmes rrjetit social “facebook”, me anë të postimeve të xhirimeve audio-vizuele dhe fotografive, kishte bërë propagandim në lidhje me organizatën terroriste “ISIS”.

Sipas aktakuzës, ai kishte përkrahur haptazi veprimet terroriste të organizatës “ISIS”, siç janë sulmet e fundit terroriste nëpër botë duke bërë thirrje të gjithë myslimanëve që t’i bashkëngjiten “luftës së shenjtë për xhihad”.

Në aktakuzë thuhet se ai më 28 nëntor 2017, në llogarinë e tij të rrjetit social “facebook”, me emrin Berat Qamili-Qamili, kishte shpërndarë fotografi kërcënuese në të cilën është paraqitur një gomë e një automjeti të lyer me gjak në të cilën janë lënë gjurmët e përgjakshme me fjalët “nisu drejt tyre pa mëshirë”.

Sipas aktakuzës, ai kishte shpërndarë fotografi të ushtarit të “ISIS”-it , si dhe postimin me përmbajtje “qofshin të poshtëruar kushdo që ngritë këto sorra mbi shtëpitë e tyre”, ku është shtiza me flamurin kombëtar, ndërsa me 20 dhjetor 2017, ai ishte arrestuar nga policia.

PSRK, Qamili po e ngarkon me veprën penale “bashkimi ose pjesëmarrja në ushtrinë apo policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake apo parapolicore, në organizimet grupore ose individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës”. /BetimipërDrejtësi