Pranon fajësinë i akuzuari për posedim të paautorizuar të narkotikëve

Gjykata
Author

Raporton: Egzon HALILI

Shtator 10, 2019

Prishtinë – I akuzuari Arlind Rexhepi, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e ka pranuar fajësinë për posedim të paautorizuar të substancave narkotike.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Dren Paca, i akuzuari Rexhepi tha se ndihet fajtor për këtë vepër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka thënë se i vjen keq për atë që ka ndodhur, duke shtuar se është penduar.

I akuzuari i ka premtuar gjykatës se më nuk do të përsëris vepra të tilla penale.

Pranimin e fajësisë nga i akuzuari nuk e ka kundërshtuar prokurori Dren Paca dhe më pas është aprovuae nga gjykatësja Medie Bytyqi, me arsyetimin se pranimi ishte vullnetar, pa presion dhe se gjen mbështetje në provat që janë pjesë e shkresave të lëndës.

Shpallja e aktgjykimit në këtë çështje penale do të bëhet më 11 shtator 2019, në ora 09:00.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 8 gusht 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Arlind Rexhepi për veprën penale “posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 275 par. 1 të KPRK-së.

Ai akuzohet se më 3 dhjetor 2017, në rrugën “Simon Shiroka”, në Prishtinë, i akuzuari Rexhepi kishte mbajtur pa autorizim në posedim substanca narkotike të llojit marihuanë, që përmban tetrahidrokanabinol (THC) në peshë neto prej 4.60 gramë + 0.1 gram, si dhe substancë narkotike – pluhur të llojit amfetaminë në peshë prej 0.53 gram + 0.1 gram, ashtu që gjatë kontrollit nga ana e policisë, të pandehurit i ishin gjetur në trup. /BetimipërDrejtësi