Pranon fajësinë i akuzuari për posedim të afro tetë gramëve marihuanë

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Lipjan- I akuzuari për poseidm të paautorizuar të 7.34 gramëve marihuanë, Blerim Zeka, ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

Deklarimin mbi fajësinë, i akuzuari e bëri në shqyrtimin fillestar, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Rrahim Podvorica, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Zeka gjatë deklarimit të tij ka shtuar se e ndien veten fajtor dhe se pranimin e fajësisë po e bën në mënyrë vullnetare, pa presion e me vetëdije të plotë, duke qenë i bindur për pasojat e pranimit të fajësisë.

Në fund, i akuzuari Zeka i premtoi gjykatës se më nuk do të përsërisë këtë vepër penale.

Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Zeka, u pajtua prokurori Podvorica dhe si i tillë ky pranim u aprovua edhe nga gjykatësi i çështjes Selman Salihu.

Gjykatësi Salihu në fund tha se procedura në këtë çështje penale u përfundua, ndërsa shpallja e aktjgykimi për këtë rast do të bëhet më 27 janar 2022.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore më 21 nëntor 2019, i pandehuri Blerim Zeka 22 maj 2018, në rrugën “Avdi Kelmendi”‘ në Lipjan, me qëllim përdorimi, pa autorizim ka poseduar substanca narkotike, në atë mënyrë që pas një kontrolle policore në automjetin e tij të tipit “Citroen Matia”, i është gjetur substancë narkotike, me peshë të përgjithshme prej 7.34 gramë, e llojit kanabis (marihuanë), që përmban Tetrahidrokanabinol, e cila pas identifikimit nga policia është sekuestruar.

Me këtë, i akuzuari Zeka po ngarkohet me veprën penale “Posedim i paautorizuar i nartotikeve, substancave psikotrope ose analoge” neni 275, paragrafi 1 të Kodit Penal. BetimipërDrejtësi

Shenim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç, nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë