Pranon fajësinë i akuzuari për dhënie ryshfeti, veçohet procedura për zyrtarin e Drejtorisë së Pyjeve që e mohoi fajësinë për marrje ryshfeti

47490315_1823170587793600_3228807884573769728_n
Author

Raporton: Lirie ALIU

Dhjetor 5, 2018

Gjilan – Në Gjykatën Themelore në Gjilan, të mërkurën, i akuzuari për dhënie ryshfeti Reshat Bajrami e ka pranuar fajësinë, ndërsa është deklaruar i pafajshëm i akuzuari për marrje ryshfeti, Sabri Miftari.

Reshat Bajrami, po akuzohet se në vitin 2013, në kohë dhe datë të papërcaktuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë shumën prej 60 euro të akuzuarit Sabri Miftari, kurse në vitin 2014 shumën prej 100 euro, ndërsa gjatë këtij viti në mënyrë të tërthortë i ka dhënë shumën prej 50 euro përmes Besim Ukës, pasi që Sabri Miftari në cilësi të zyrtarit-rojtarit të pyllit në Drejtorinë për Pylltari në Komunën e Vitisë, e ka lejuar Reshat Bajramin që të marrë dru në mënyrë të kundërligjshme dhe pa pagesë.

Në seancën fillestare, i akuzuari Reshat Bajrami ka deklaruar se e pranon fajësinë për veprën penale të cilën akuzohet.

“E pranoj fajësinë, e kom bo me vetëdije”, ka deklaruar i akuzuari Bajrami.

Ndryshe, Sabri Miftari, i akuzuar për marrje ryshfeti, ka mohuar të këtë kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Gjykata e aprovoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari Reshat Bajrami, dhe me pas ka veçuar procedurën ndaj të akuzuarit Sabri Miftari, i cili ka mohuar të ketë kryer veprën penale.

Po ashtu gjykatësi Islam Thaqi, ka njoftuar të akuzuarin Miftari dhe mbrojtësin e tij Shemsedin Pira, para shqyrtimit të dytë, gjegjësisht deri më 7 janar 2018, mund të paraqesin kundërshtimet si dhe kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Ndërkohë që, prokurori Spahiu, brenda shtatë ditësh mund të përgjigjet në kërkesën e hudhjes së aktakuzës.

Në këtë seancë, palët në procedurë kanë dhënë edhe fjalët e tyre përfundimtare, ku prokurori Shaban Spahiu, ka deklaruar se ndaj të akuzuarit Reshat Bajrami, pasi që i njëjti e  ka pranuar fajësinë për këtë vepër penale dhe duke u referuar rreth caktimit të dënimit, si rrethanë  lehtësuese i ka propozuar gjykatës që të vlerësojë faktin se i akuzuari e ka pranuar fajësinë, ndërkohë si rrethanë rënduese të merr faktin se kjo vepër është e rrezikshme në shoqëri.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Reshat Bajrami, avokat Abdylaziz Sadiku, në fjalën e tij përfundimtare ka kërkuar nga gjykata që ta merr si rreth lehtësuese si dhe faktin se i njëjti më  parë s’ka qenë i dënuar dhe ka premtuar se më nuk do të kryej vepra penale. “E lus gjykatën që t’i shqiptoj një dënim të kushtëzuar” ka thënë avokati Sadiku.

Ndryshe, i akuzuari Reshat Bajrami në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se më nuk do të kryej vepra të tilla penale. “Nuk do të gaboj dhe jam i gjendjes së varfër ekonomike, dhe se dëshminë që do ta sjell në ndërkohë, jam mbajtës i familjes”, ka thënë i akuzuari Bajrami.

Shpallja e aktgjykimit për të akuzuarin Reshat Bajrami është caktuar më 10 dhjetor 2018, në ora 09:30.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjilan të ngritur më, Sabri Miftari akuzohet për veprën penale “marrje ryshfeti”, kurse Reshat Bajrami  akuzohet për veprën penale “dhënie ryshfeti”

Sipas aktakuzës, duke qenë në pozitën e zyrtarit-rojtarit të pyllit pranë Drejtoratit për Pylltari në Komunën e Vitisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë ka kërkuar dhe pranuar për vete dhuratë, përkatësisht të holla nga i akuzuari tjetër Reshat Bajrami, në atë mënyrë që duke kërkuar dhe marrë të holla për të mos vepruar në pajtim më detyrën e tij zyrtare, e ka lejuar Reshat Bajtamin që në mënyrë të kundërligjshme të marrë dru në pyllin e pronës shoqërore.

Në aktakuzë thuhet se, në vitin 2013, në kohë dhe datë të papërcaktuar, i akuzuari Sabri Miftari ka pranuar shumën prej 60 euro nga Reshat Bajrami, kurse në vitin 2014 ka pranuar shumën prej 100 euro, kurse gjatë këtij viti ka pranuar shumën prej 50 euro përmes Besim Ukës, në këtë mënyrë i akuzuari Sabri Miftari e kishte lejuar Reshat Bajramin që të marr drunjë në pyllin e pronës shtetërore në mënyrë të kundërligjshme-pa pagesë.

Ndryshe, i akuzuari Reshat Bajrami, sipas aktakuzës, i ka dhënë para të akuzuarit Sabri Miftari, në mënyrë që mos të veprojë në pajtim më detyrën e tij zyrtare, duke i lejuar Bajramit marrjet e druve në mënyrë të kundërligjshme.

Prokuroria pretendon se, i akuzuari Sabri Miftari ka kryer veprën penale “marrje e ryshfetit” nga neni 428 paragrafi 1, kurse për të akuzuarin Reshat Bajrami, pretendon se ka kryer veprën penale “dhënie e ryshfetit” nga nenin 429 paragrafi 1 i KPRK-ës.