Pranon fajësinë i akuzuari për dëmin që i shkaktoi KEDS-it në vlerë prej 79 euro

119452711_244317923580352_439681452141898017_n
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Shtator 14, 2020

Malishevë –I akuzuari Vesel Mazreku, në shqyrtimin e dytë, të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, e ka pranuar fajësinë për veprën penale “vjedhja e shërbimeve”.

Në seancën e së hënës, i akuzuari Mazreku, kërkoi nga gjykata që në shqyrtim të dytë t’i jepet mundësia që të deklarohet edhe një herë rreth fajësisë, pasi në shqyrtimin e parë ai ishte deklaruar i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas aprovimit të këtij propozimi nga gjykatësi Njazi Morina, i akuzuari Mazreku, ka deklaruar se e pranon fajësinë në mënyrë vullnetare dhe ndihet thellë i penduar për rastin që ka ndodhur dhe se i premton gjykatës që në të ardhmen do të jetë më i kujdesshëm.

Ai po ashtu tha se borxhin të dëmtuarës do t’ia paguajë menjëherë, duke kërkuar kështu nga gjykata që t’i shqiptohet një dënim sa më i butë.

Prokurorja e rastit Dëshirë Jusaj, deklaroi se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë, pasi që sipas saj, pranimi ka mbështetje në provat e lëndës dhe është bërë në mënyrë vullnetare.

Paraprakisht, prokurorja Jusaj, ka bërë edhe rikualifikimin e veprës penale nga “vjedhje e shërbimeve komunale”, nga neni 320, paragrafi 1, i Kodit të vjetër Penal, në “vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314, paragrafi 6, lidhur me paragrafin 1, të KPRK-së, me arsyetimin se Kodi i ri Penal është më i favorshëm për të akuzuarin.

Gjykatësi i çështjes, Njazi Morina, ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, ndërsa palët i ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 17 shtator 2020, në ora 15:15, si dhe ka theksuar faktin se ardhja e palëve në shpallje të aktgjykimit nuk është e obliguar me ligj.

Me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 31 gusht 2017, Vesel Mazreku akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 18 tetor 2015, në shtëpinë e tij në Malishevë, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për energji elektrike të Republikës së Kosovës, ka shfrytëzuar energjinë elektrike, duke këputur dhe maskuar prapë bllombat e njehsorit, dhe me këto veprime e ka pamundësuar regjistrimin e saktë të energjisë elektrike.

Sipas aktakuzës, i akuzuari të dëmtuarës KEDS–Divizioni në Gjakovë i ka shkaktuar dëmin në vlerë prej 79.88 euro.

Sipas aktit akuzues me këto veprime i akuzuari Kryeziu, ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale”, nga neni 320, i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi