Pranon fajësinë, gjashtë muaj burg me kusht ndaj të akuzuarit për rrezikim të trafikut publik

Pallati i Drejtesise (20) (1)
Author

Raporton: Egzon HALILI

Shtator 10, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të martën, ka shqiptuar dënim me gjashtë muaj burgim me kusht ndaj të akuzuarit për rrezikim të trafikut publik, Liridon Mustafa.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Fatime Dërmaku, dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit nuk do të ekzekutohet, nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Mustafa është obliguar të paguajë shpenzime procedurale si dhe 30 euro në emër të paushallit gjyqësor.

Sipas gjykatëses Dërmaku  palët e pakënaqura kundër këtij vendimi ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së aktgjykimit.

Ndërsa, palët e dëmtuara janë udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

Ndryshe, i akuzuari Mustafa e ka pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar të mbajtur të martën, duke shtuar se i vjen shumë keq që ka ndodhur ky aksident.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Besart Mustafa dhe më pas është aprovuar nga gjykatësja Bytyqi me arsyetimin se pranimi ishte vullnetar, pa presion dhe se gjen mbështetje në provat që janë pjesë e shkresave të lëndës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 7 mars 2014, kishte ngritur aktakuzë ndaj Liridon Mustafa për veprën penale “rrezikim i trafikut publik” nga neni 378 par.8 lidhur me par.6 dhe par. 1 të KPRK-së.

Ai akuzohet se më 13 maj 2013 në rrugën “e Tiranës”, nga stacioni i vjetër i trenit në drejtim të urës së madhe, derisa ishte duke drejtuar automjetin e tipit “Lansia”, nga pakujdesia ka shkel Ligjin mbi Trafikun Publik, ka rrezikuar jetën dhe ka dëmtuar trupin e njeriut dhe pasurinë, në atë mënyrë ka vepruar në kundërshtim me nenin 54 par. 1 të LSKRR, nuk e përshtat shpejtësinë e lëvizjes së automjetit me kushtet rrugës, që ishte e rrëshqitshme për shkak të shiut, si dhe dukshmërisë së zvogëluar, e ka humbur kontrollin mbi automjetin e tij, me ç’rast del nga rruga dhe e godet objektin e doganës.

Në aktakuzë thuhet se si pasojë e këtij aksidenti lëndime te lehta trupore kanë pësuar tani të dëmtuarit Feim Beqiri, Leonorë Sylejmani, ndërsa tani e dëmtuara Besarta Pasoma, pëson lëndime të rënda trupore. Gjithashtu, thuhet se është shkaktuar edhe dëm material në objektin e Doganës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi