Pranon fajësinë e akuzuara për terrorizëm, dënohet me kusht

IMG-7269
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Qershor 29, 2020

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me dy vite burgim me kusht të akuzuarën për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist, Viladane Ismajli, pasi e njëjta e ka pranuar fajësinë.

Mirëpo, dënimi me dy vite burgim me kusht, nuk do të ekzekutohet nëse ajo nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej tre vjetësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, ka njoftuar se nëse e akuzuara kryen vepër të re penale brenda periudhës së verifikimit, dënimi me kusht do t’i zëvendësohet në atë me burgim, duke ia llogaritur edhe masën e arrestit shtëpiak.

Sipas gjykatëses Misliu-Selimaj, e akuzuara Ismajli përveç dënimit me kusht është obliguar që të përmbushë detyrimin për vizitë tek psikologu apo këshilluesi dhe që të veprojë në pajtim me rekomandimet e tyre, në periudhë prej dy vite.

Gjykata ka obliguar Shërbimin Sprovues të Kosovës për mbikëqyrjen e zbatimit të dënimit me kusht dhe detyrimit të veçantë të shqiptuar ndaj të akuzuarës Ismajli.

Sipas Musliu-Selimajt, nëse e akuzuara Ismajli nuk mban kontakte me Shërbimin Sprovues të Kosovës dhe në rast se nuk i përmbush detyrimet, gjykata  do ta bëjë revokimin e dënimit me kusht sipas nenit 55 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

E akuzuara Ismajli është liruar nga pagesa e shpenzimeve procedurale, pasi ajo është shfrytëzuese e asistencës sociale.

Ndryshe, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit special Afrim Shefkiu, e akuzuara e ka pranuar fajësinë.

“Jam penduar shumë për këtë veprim që e kam bërë”, ka thënë e akuzuara Ismajli, e cila ka deklaruar se ishte duke u trajtuar nga psikologët.

E njëjta i ka premtuar gjykatës që nuk do të përsërisë asnjëherë vepra të tilla penale.

“Burri është në burg në Siri, me të cilin nuk kam pasur kontakte më që nga koha kur jam dorëzuar personalisht te forcat kurde, kujdesem vet për tre fëmijët, jam e papunë dhe nënë vetushqyese”, ka deklaruar e akuzuara.

Me pranimin e fajësisë është pajtuar edhe mbrojtësja e saj sipas detyrës zyrtare, avokatja Ardiana Azemi, e cila ka deklaruar se ky pranim i fajësisë është bërë pas konsultimit të mjaftueshëm me të, duke kërkuar nga gjykata që të aprovojë këtë pranim të fajësisë.

“E mbrojtura ime ka lindur tre fëmijë në Siri, tani ata fëmijë pasi janë kthyer në Kosovë kanë probleme shëndetësore, gjithashtu edhe e mbrojtura ime ka probleme shëndetësore me zemër, për të cilën do të vazhdojë mjekimet edhe në ditët në vazhdim. Jeta e saj është tejet e vështirësuar, pasi që pas kthimit nga Siria, ka shkuar te jetojë tek familja e burrit të saj, ndonëse ai nuk gjendet aty, mirëpo pas qëndrimit 4-5 muaj, ajo është detyruar që të kthehet të jetojë tek nëna e saj bashkë me fëmijët, pasi që në familjen e burrit nuk ka pas vend për ta. Gjatë kohës sa ka qëndruar në Siri ajo vazhdimisht ka tentuar të kthehet në Kosovë, mirëpo nuk ka mundur, për shkuarjen e saj atje ajo siç deklaroi edhe në gjykatë është penduar, duke i premtuar gjykatës se në të ardhmen nuk do të kryejë asnjë vepër penale”, ka deklaruar avokatja Azemi.

Ajo kërkoi nga gjykata që me rastin e shqiptimit të dënimit të ketë parasysh rrethanat lehtësuese si: pranimin e fajësisë, gjendja jo e mirë shëndetësore e fëmijëve të saj, që ishte nënë vetushqyese, e papunë dhe se jeton vetëm më nënën e saj dhe tre fëmijët.

Edhe prokurori special Afrim Shefkiu ka kërkuar nga gjykata që të pranojë këtë pranim të fajësisë, i cili sipas tij ishte i plotë dhe në përputhje me provat materiale.

Ai po ashtu nuk i kundërshtoi as rrethanat lehtësuese të përmendura nga avokatja Azemi, por sipas tij duhet të merret parasysh edhe rrezikshmëria shoqërore e veprës penale si dhe shkalla e përgjegjësisë penale.

Në fund, këtë pranim të fajësisë e ka aprovuar edhe kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj.

Sipas aktakuzës së ngritur nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), me 10 qershor 2020, e akuzuara Ismajli me 3 nëntor 2014, së bashku me bashkëshortin e saj Sadri Nerjovaj kishin lëshuar territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të dy përmes vend kalimit kufitar Hani i Elezit kishin udhëtuar për në Shkup dhe të nesërmen me autobus kishin udhëtuar në Suedi ku kishin qëndruar dy muaj, dhe më pas përmes lidhje nga aeroporti i Stokholmit kishin udhëtuar në Stamboll dhe me automjet ishin transportuar në Gazientep afër kufirit me Sirinë.

Më pas sipas PSRK-së, e akuzuara dhe bashkëshorti i saj pasi ishin transportuar në Gazientep, nga ana e pjesëtarëve të ISIS-it ishin transportuar në qytetin “Sedel Faruk” dhe e njëjta ishte regjistruar ndaras nga burrat në ISI, prej nga kishin udhëtuar në qytetin “Masul”, të Irakut.

Pas 3-4 muaj thuhet se ishin kthyer në qytetin Rala dhe gjatë kësaj kohe e akuzuara ishte angazhuar në pikëpamje logjistike si: në përgatitjen e ushqimit, pastrimin e rrobave ushtarake të bashkëshortit të saj, luftëtar i ISIS-it dhe ishte financuar për këto shërbime nga 150 dollarë në muaj.

Pastaj sipas PSRK-së, në vitin 2018 ishte arrestuar nga forcat demokratike siriane dhe më 19 prill 2019 ishte riatdhesuar në Kosovës.

Për këto veprime, e akuzuara Ismajli ngarkohej me veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi