Pranon fajësinë, dy vjet e gjysmë burg ndaj të akuzuarit për vrasje të rëndë në tentativë

Gjykata26
Author

Raporton: Medina KADRIU

Korrik 10, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burgim efektiv të akuzuarin për vrasje të rëndë në tentativë, Jasmin Babatinca.

Kryetari i trupit gjykues, Isuf Makolli, bëri të ditur për “Betimi për Drejtësi” se i akuzuari e kishte pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohej.

Sipas tij, me anë të aktgjykimit është bërë edhe konfiskimi i armës së ftoftë- thikës së përdorur për kryerjen e veprës penale.

Gjithashtu, ai bëri të ditur se i akuzuari duhet të paguajë 50 euro për fondin e viktimave, si dhe 100 euro për shpenzimet procedurale.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 18 mars 2019, Jasmin Babatinca akuzohet se më 4 shkurt 2019, rreth orës 13:20, në Podujevë, në rrugën “13 qershori”, ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin Arlind Bislimi.

Në aktakuzë thuhet se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që për shkak të mosmarrëveshjes paraprake në mes tyre, e sulmon fizikisht të dëmtuarin dhe me armë të ftoftë- thikë e godet disa herë në pjesën e epërme të trupit, me ç’rast i shkakton plagë prerëse shpuese në regjionin e majtë të qafës, plagë prerëse shpuese në regjionin e krahut të majtë dhe regjionin e pjesës së jashtme të anës së majtë të shpinës, e si të tilla, bëjnë pjesë në dëmtime të rënda trupore.

Sipas aktakuzës, pasojat në shëndet kualifikohen bazuar në raportet mjekësore nga Klinika e Kirurgjisë Plastike dhe raportet mjekësore nga vizitat kontrolluese mjekësore, jo më herët se tre muaj nga fillimi i trajtimit mjekësor.

Me këtë, sipas aktakuzës, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”. /BetimipërDrejtësi