Pranon fajësinë, dënohet me tre vjet burg i akuzuari për vjedhje të rëndë në vazhdimësi

Foto nga shpallja, vjedhje e rende, 10 shkurt
Author

Raporton: Floretina OSMANI

Shkurt 10, 2020

Podujevë – Tre vjet burg është aktgjykimi që Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, ka shpallur ndaj të akuzuarit për vjedhje të rëndë në vazhdimësi, Hamit Hoxha.

Sipas aktgjykimi të shpallur nga gjykatësi Gazmend Bahtiri, i akuzuari Hoxha është dënuar edhe me 100 euro gjobë, po i cili dënim është kushtëzuar në afatin e verifikimit prej një viti, nëse nuk kryen vepra tjera penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, është liruar nga shpenzimet e procedurës penale, për shkak të gjendjes së dobët ekonomike, derisa të dëmtuarit për të realizuar kërkesën pasurore-juridike, janë udhëzuar në kontest civil.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit, gjykatësi Bahtiri, ka thënë se llojin dhe lartësinë e dënimit, e ka bazuar në faktin se i akuzuari edhe më parë ka qenë i dënuar për vepra të ngjashme penale, për çka edhe ende vuan dënimin me burg.

Ndërkohë, para se të shpallej aktgjykimi, i akuzuari e ka pranuar fajësinë.

“E pranoj fajësinë. Jam penduar, kam qenë i ri. Të gjitha sendet i janë kthyer pronarëve. Jam i gjendjes se dobët ekonomike dhe kërkoj nga gjykata një dënim sa më të butë”, ka deklaruar ai.

Mbrojtësi i tij, i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Mahmut Hoxha, ka deklaruar që pranimi i fajësisë nga i akuzuari të merret si rrethanë lehtësuese, me rastin e shqiptimit të dënimit.

“Siç e patë edhe vet, i mbrojturi im në tërësi e pranoj fajësinë, në mënyrë vullnetare pa kurrfarë kushtëzimi dhe e ka kuptuar se çka thotë aktakuza ndaj tij. I mbrojturi im është i gjendjes së dobët ekonomike, të cilën e ka marr si arsyetim për kryerjen e këtyre veprave. Sendet e marra u janë kthyer të dëmtuarve. I njëjti është i penduar thellë dhe ka deklaruar edhe pranë gjykatës se më nuk do t’i përsëris këto vepra penale. Prandaj, kërkoj nga gjykata që gjithë këto që përmendëm më lartë, të merren si rrethana lehtësuese dhe të mbrojturit tim t’i shqiptohet dënim sa më i butë, por duke u bazuar në ligjin e aplikueshëm në Kosovë”, ka deklaruar avokati Hoti.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar as prokurori Besart Mustafa dhe më pas e ka aprovuar gjykatësi Bahtiri.

Prokurori Mustafa, ka deklaruar gjithashtu se në rastin konkret kemi të bëjmë me vepra penale “vjedhje e rëndë”, nga neni 327, paragrafi 1 të KPRK-së, në vazhdimësi, lidhur me nenin 81 të KPRK-së, me ç’rast ka plotësuar aktakuzën në aspektin ligjor.

“Pasi që në tri pikat e aktakuzës, plotësohen së paku dy prej kushteve në vijim që i parasheh neni 81, paragrafi 1 dhe atë: nënparagrafi .1.3 shfrytëzimi i situatës apo marrëdhënies së njëjtë kohore, nënparagrafi 1.4 vepra apo hapësira e njëjtë e kryerjes së veprës penale, nënparagrafi 1.5 dashja e njëjtë e kryesit. Andaj, në të ardhmen përshkrimi i veprës penale duhet të jetë “vjedhje e rëndë”, nga neni 327, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 të KPRK-së në vazhdim, lidhur me nenin 81 të KPRK-së. E sa i përket pikës së tretë të dispozitivit të aktakuzës lidhur me nenin 28 të KPRK-së”, pjesa tjetër e dispozitivit mbetet e pandryshuar”, ka deklaruar prokurori Mustafa.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 4 dhjetor të vitit 2017, Hamit Hoxha akuzohet se nga 20 korriku 2015 deri më 21 korrik 2015, në hotelin “Besiana”, në Podujevë, me qëllim që vetes t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, me përdorimin e forcës, me mjet të përshtatshëm ka hequr pengesat, pronë e të dëmtuarit Gazmend Maloku, ka hapur një dritare dhe nga aty ka hyrë brenda, duke marrë dy kuleta të cilat kanë qenë në shërbim të kamerierëve, ku gjatë ikjes njëra kuletë i kishte rënë brenda, kurse tjetrën e cila kishte rreth 20 euro, e kishte marrë dhe pastaj është larguar nga vendi i ngjarjes.

Më tej, në dispozitivin e dytë, thuhet se nga 20 korriku 2015, nga ora 23:00 deri më 22 korrik 2015, në ora 07:30, në Podujevë në rrugën “Ali Ajeti”, i pandehuri me qëllim që vetes t’i sjell dobi pasurore të kundërligjshme, me përdorim të forcës me mjet të përshtatshëm, kishte hyrë me dhunë në shtëpinë e të dëmtuarit Rrahman Agushi, në atë mënyrë që ka hapur një dritare dhe nga aty ka hyrë brenda, duke marrë dy inventorë, në vlerë prej 200 euro, një telefon të tipit “Nokia”, në vlerë prej 20 euro, si dhe dy fleksa në vlerë 80 euro, pastaj është larguar nga vendi i ngjarjes.

Ndërkaq, në dispozitivin e tretë thuhet se më 21 korrik 2015, në ora 06:45, në rrugën “Ali Ajeti” në Podujevë, i pandehuri me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, me përdorim të forcës ka hequr pengesat në shtëpinë e të dëmtuarit Sabri Mjeku, në atë mënyrë që kishte hipur në pullazin e shtëpisë dhe kishte tentuar që të hynte brenda për të vjedhur, mirëpo i njëjti ishte kapur nga pronari në oborrin e shtëpisë dhe ishte sjellë në polici.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprat penale “vjedhje e rëndë”, nga neni 327, pargrafi 1 nënparagrafi 1.1 të KPRK-së në vazhdim, lidhur me nenin 81 dhe nenin 28 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi