Pranon fajësinë, dënohet me kusht i akuzuari vjedhje të energjisë elektrike  

119583541_615720459118513_5074788235258723623_n
Author

Raporton: Avni Berisha

Shtator 15, 2020

Rahovec – Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ka shqiptuar dënim me katër muaj burgim me kusht për të akuzuarin Agim Shabandula, për shkak të kryerjes së veprës penale “vjedhje e shërbimeve”.

Dënimi me kusht ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën një vjeçare, i akuzuari Shabandula nuk kryen vepër tjetër penale. Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi, Ilir Rashkaj, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas fillimit të seancës, prokurori Nazmi Krasniqi, ka bërë rikualifikimin juridik nga vepra penale “vjedhje e shërbimeve komunale” nga neni 320 i KPRK-së, në veprën penale “vjedhje e shërbimeve” nga neni 314 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, ndërsa pjesa tjetër e aktakuzës mbetet e pa ndryshuar.

Këtë rikualifikim e ka bërë duke u bazuar në parimin e zbatimi të ligjit më të favorshëm për të pandehurin. Pas kësaj, i akuzuari Shabandula, ka thënë se ndjehet fajtor për veprën të cilën e ka kryer dhe pendohet për rastin që i ka ndodhur. Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh se është i gjendjes së dobët ekonomike dhe mbajtës i familjes, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë. Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurori Nazmi Krasniqi, duke shtuar se pranimi i fajësisë është bërë me vetëdije dhe vullnet të plotë, si dhe ka mbështetje në provat që gjenden në shkresat e lëndës. Gjyqtari Rashkaj, të akuzuarin e ka liruar nga pagesa e shpenzimeve procedurale sepse i njëjti është përfitues i asistencës sociale.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ndajtë akauzarit Shabandula ka ngritur aktakuzë më 26 shkurt 2018, duke e ngarkuar atë me veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri nga data e pavërtetuar e deri më 24 tetor 2017 në në shtëpinë e tij në Rahovec, në mënyrë të kundërligjshme ka shfrytëzuar energjinë elektrike. Në aktakuzë thuhet se për t’i sjellë vetes përfitime pasurore të kundërligjshme, i njëjti ka bërë lidhje direkte jashtë njehsorit elektrik, e me këtë veprim energjia e shpenzuar nuk është regjistruar, ku me këtë rast të dëmtuarës KEDS i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 108.86 euro. /BetimipërDrejtësi.