Pranon fajësinë, dënohet me kusht i akuzuari për vjedhje të rrymës

Asllan Katana
Author

Raporton: Avni BERISHA

Qershor 11, 2019

Rahovec – Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, e ka dënuar me tre muaj burgim dhe 200 euro gjobë me kusht, të akuzuarin për veprën penale “vjedhje të shërbimeve komunale”, Asllan Katana.

Dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën një vjeçare, i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi, Mizahir Shabani, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Katana, ka thënë se ndihet fajtor për veprën të cilën e ka kryer dhe pendohet për rastin që i ka ndodhur.

Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh se është i gjendjes së dobët ekonomike, mbajtës i familjes, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurorja Mone Syla.

Gjyqtari Shabani, të akuzuarin e ka obliguar t’i paguajë shpenzimet procedurale në shumën prej 30 euro në total.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 30 prill 2018, ndaj Asllan Katana, duke e ngarkuar atë me veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri nga data e pavërtetuar e deri më 01 gusht 2018, në shtëpinë e tij në fshatin Hoçë e Vogël të Rahovecit, në mënyrë të kundërligjshme ka shfrytëzuar energjinë elektrike.

Në aktakuzë thuhet se për t’i sjell vetes përfitime pasurore të kundërligjshme përmes kabllos jashtë njehsorit elektrik është furnizuar me energji elektrike, gjendje kjo e konstatuar nga personat e autorizuat të KEDS-it, e me këtë veprim energjia e shpenzuar nuk është regjistruar, ku me këtë rast të dëmtuarës KEDS, i ka shkaktuar dëm material në vlere prej 131.67 euro. /BetimipërDrejtësi