Pranon fajësinë, dënohet me kusht i akuzuari për vjedhje të rrymës

Foto 14.05.2019
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Maj 14, 2019

Malishevë – Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ka shqiptuar dënim me tre muaj burgim me kusht, ndaj të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve, Halil Morina.

Sipas gjykatësit Lulzim Paçarizi, dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën një vjeçare, i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale.

Gjykatësi Paçarizi, tha se i akuzuari obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale, në shumën totale prej 30 euro.

Paraprakisht, në seancën e së martës, i akuzuari Morina, ka thënë se ndihet fajtor për veprën të cilën e ka kryer, dhe pendohet për rastin që i ka ndodhur, dhe se dëmin ia ka paguar të dëmtuarës, duke paraqitur edhe dëshmi para gjykatës.

Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh gjendjen ekonomike, faktin se nuk është ndeshur me parë më ligjin, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurori, Nazmi Krasniqi.

Ndryshe, me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë të ngritur më 18 janar 2018, Halil Morina, akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 6 tetor 2017, në shtëpinë  e tij, në fshatin Drenoc të Komunës së Malishevës, me qëllim që vetit t’i sjell përfitime pasurore të kundërligjshme, duke këputur bllombat, përmes një kablloje është lidhur jashtë njehsorit elektrik, duke e pamundësuar regjistrimin e saktë të energjisë elektrike.

Sipas aktakuzës, i akuzuari të dëmtuarës KEDS-Distrikti Gjakovë, i ka shkaktuar dëmin në vlerë prej 258.62 euro.

Me këtë veprim, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve” nga neni 314, paragraf 6, lidhur me paragrafin 1, të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi