Pranon fajësinë, dënohet me kusht i akuzuari për përdorim të armës në Mitrovicë

d
Author

Raporton: Djellza ZYHRANI

Shkurt 23, 2021

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë, e ka dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht të akuzuarin për përdorim të armës, Jashar Jashari.

Dënimin me burg i pandehuri nuk do ta mbajë nëse brenda një viti nuk kryerën vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Krahas kësaj, i pandehuri është i obliguar edhe me shpenzimet procedurale dhe atë më 20 euro për paushallin gjyqësor dhe 30 euro në emër të fondit për viktimat e krimit.

Këtë dënim e ka shqiptuar gjykatësi, Rrahman Beqiri, në seancën e së martës, pasi paraprakisht i pandehuri Jashari e ka pranuar fajësinë.

Lidhur me pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit, prokurorja Jelena Marjanoviq, ka deklaruar se i plotëson kushtet ligjore, ndërsa të njëjtën e ka aprovuar gjykatësi Beqiri.

Gjykatësi Beqiri, e ka njoftuar të pandehurin me të drejtën e tij në ankesë brenda afatit ligjore.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 27 gusht 2019, kishte ngritur aktakuzë ndaj Jashar Jashari.

Sipas aktakuzës, më 14 janar 2011, në fshatin “Stanterg”, Komuna e Mitrovicës, kishte mbajtur në posedim armën e cila është e ndaluar për persona civil dhe për përdorim sipas Ligjit mbi Armët të RK neni 4 paragrafi.1, pika 1.1 në atë mënyrë që kishte shtënë nga pistoleta e tipit “Parabell”, prodhim i RSFJ e kalibrit 9 mm, një karikatorë me pesë plumba të cilat ju kishin konfiskuar nga ana e policisë.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375 paragrafi.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi