Pranon fajësinë, dënohet me kusht i akuzuari për ndryshim të njehsorit elektrik

20190911_092248
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Shtator 11, 2019

Istog – Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, ka shqiptuar dënim me tre muaj burgim dhe 400 euro gjobë me kusht, ndaj të akuzuarit për veprën penale “ndryshimi i njehsorit të shërbimeve”, Driton Podujeva.

Dënimet me kusht nuk do të ekzekutohen nëse i akuzuari në periudhën një vjeçare, nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pandehuri nga ana e gjykatës është obliguar po ashtu në shpenzimet procedural në shumën prej 50 euro në total.

Para shpalljes së aktgjykimit nga gjykatësi Arben Mustafaj, i akuzuari Podujeva e ka pranuar fajësinë, duke thënë se i vjen keq për rastin e ndodhur.

Prokurori Muharrem Bajraktari, ka kërkuar nga gjykata që me rastin e marrjes së vendimit mbi dënim, të pandehurit t’i merret si rrethanë lehtësues pranimi i fajësisë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë më 27 janar 2016, duke e akuzuar të pandehurin Driton Podujeva me veprën penale “ndryshimi i njehsorit të shërbimeve”, nga neni 323 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i akuzuari nga data 14 dhjetor 2013, e deri më 14 maj 2014, në fshatin Dubravë të Komunës së Istogut, pikërisht tek shtëpia e tij, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, ka penguar njehsorin nga regjistrimi i saktë i sasisë së shpenzuar të energjisë elektrike.

Në aktakuzë thuhet se, pas një kontrolli nga personat e autorizuar të KEDS-it, i pandehuri është hasur në njehsor të pabllombuar, ku ura e tensionit është larguar, e të cilit njehsor i ka munguar edhe bllomba e djathtë shtetërore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri të dëmtuarës KEDS, i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 162.93 euro. /BetimipërDrejtësi