Pranon fajësinë, dënohet me kusht i akuzuari për lidhje ilegale në rrjetin elektrik

20200203_113525
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Shkurt 12, 2020

Istog – I akuzuari për vjedhje të shërbimeve, Ferat Nimanaj është dënuar me tre muaj burgim me kusht nga Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog.

Por, ky dënim me kusht nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri nuk do të kryej vepra të tjera penale në periudhë verifikuese prej një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë gjykatësi Arben Mustafaj, i cili tha se i pandehuri Nimanaj lirohet nga shpenzimet procedurale, ngase sipas tij ,i njëjti i takon kategorisë sociale.

“Gjersa e dëmtuara KEDS, do të udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil”, ka thënë gjykatësi Mustafaj.

Para shpalljes së aktgjykimit, i akuzuari Nimanaj e ka pranuar fajësinë për veprën penale e cila i bie në barrë, duke thënë se i vjen keq për rastin që ka ndodhur.

“Nuk kam pas mundësi ta paguaj rrymën, ngase kam pas probleme shëndetësore, ku edhe sot kam probleme shëndetësore, e ku në familje nuk punon askush”, ka thënë i pandehuri Nimanaj.

Prokurorja Suada Hamza, ka kërkuar nga gjykata që me rastin e marrjes së vendimit mbi dënim, të pandehurit t’i merret si rrethanë lehtësues pranimi i fajësisë.

Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë më 10 shtator 2019, duke e akuzuar të pandehurin Nimanaj, për veprën penale “vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Nimanaj në kohë të panjohur e në vazhdimësi, e gjerë më 18 dhjetor 2017, në fshatin Uçë të Komunës së Istogut, përmes mënyrave të tjera ka siguruar shërbime, të cilat mundësohen vetëm me shkëmbim të kompensimit, duke shmangur pagesën për këto shërbime.

Në aktakuzë thuhet, se i pandehuri në shtëpinë e tij me një kabllo 3×2.5 milimetra, ka devijuar energjinë elektrike jashtë matësit elektrik, me çka ka bërë që energjia e shpenzuar përmes kësaj kabllo të mos regjistrohet fare.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me këtë veprim i pandehuri i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 391.16 euro, të dëmtuarës KEDS. /Betimipërdrejtësi