Pranon fajësinë, dënohet me kusht i akuzuari për furnizim të kundërligjshëm me energji elektrike

20191209_093626
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Dhjetor 9, 2019

Istog – 300 euro gjobë me kusht i ka shqiptuar të hënën, Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve, Fatmir Pepaj.

Por, dënimi me gjobë ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej një viti.

Gjykatësi Gani Rugova tha, se i pandehuri lirohet nga shpenzimet procedurale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Para shpalljes së aktgjykimit nga gjykatësi Gani Rugova, i akuzuari Pepaj e ka pranuar fajësinë për veprën penale e cila i bie në barrë, duke shprehur keqardhje për rastin e ndodhur.

“Nuk kam pas zgjidhje ngase kushtet ekonomike i kam shumë të dobëta. Unë i kam tre anëtarë të familjes për të cilët përkujdesem ngase nuk janë mirë me shëndet”, ka thënë i pandehuri Pepaj.

Prokurori Ersan Qavolli, ka kërkuar nga gjykata që me rastin e marrjes së vendimit mbi dënim, të pandehurit t’i merret si rrethanë lehtësues pranimi i fajësisë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë më 21 nëntor 2019, duke e akuzuar të pandehurin Fatmir Pepaj për veprën penale “vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Fatmir Pepaj më 27 prill 2018, në fshatin Lubozhdë të Komunës së Istogut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, pa autorizim paraprak nga personat zyrtar, ka bërë kyçje në rrjetin elektrik.

Në aktakuzë thuhet se pas kontrollit të bërë nga personat e autorizuar të KEDS-it, tek i pandehuri, kanë hasur se është kyçur direkt jashtë pikës matëse, duke anashkaluar matjen e energjisë së shpenzuar, e duke vazhduar të veprojë kështu në vazhdimësi.

Sipas aktakuzës, i pandehuri me këto veprime të dëmtuarës KEDS, i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 349.34 euro. /BetimipërDrejtësi