Pranon fajësinë, dënohet me kusht e akuzuara për kyçje ilegale në rrjetin elektrik

20181205_150839
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Dhjetor 5, 2018

Istog – Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, ka shqiptuar dënim me tre muaj burgim dhe 300 euro gjobë me kusht ndaj të akuzuarës për kyçje ilegale në rrjetin elektrik të KEDS-it, Saranda Haxhijaj

Dënimet me kusht nuk do të ekzekutohen nëse në periudhën një vjeçare, e akuzuara Haxhijaj nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi i çështjes Arben Mustafaj tha se e pandehura obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale, në shumën totale prej 50 euro.

Aktgjykimi ndaj saj është shpallur nga gjykatësi, Arben Mustafaj, pasi që e akuzuara paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet, duke shprehur keqardhje për rastin.

“Është e vërtetë se kur kanë ardhur zyrtarët e KEDS-it, shtëpia ka qenë pa njehsor elektrik, mirëpo ne e kemi bërë kërkesën edhe më herët për të na pajisur me njehsor elektrik”, tha e akuzuara Haxhijaj.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë më 30 korrik 2018, ndaj të akuzuarës Saranda Haxhijaj.

Sipas aktakuzës, më 9 nëntor 2016 në fshatin Rakosh, Komuna e Istogut në shtëpinë e të pandehurës gjatë kontrollit të rrjetit elektrik nga personat e autorizuar, të njëjtit kanë konstatuar se e pandehura pasi që nuk posedon njehsor elektrik, është kyçur në mënyrë ilegale në rrjetin elektrik.

Në aktakuzë thuhet, se e pandehura me veprimet e saj, kompanisë së KEDS-it i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 140.19 eurosh.

Gjithnjë sipas aktakuzës e pandehura ka kryer veprën penale “lidhja e paautorizuar në shërbime”, nga neni 321 i KPRK-së.