Pranon fajësinë, dënohet me kusht e akuzuara për kyçje ilegale në rrjetin elektrik

Istog 1 1 1 (5)
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Shkurt 23, 2021

Istog – Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, ka shqiptuar dënim me 300 euro gjobë me kusht ndaj të akuzuarës për kyçje ilegale në rrjetin elektrik të KEDS-it, Nexhmije Halilaj.

Dënimi me gjobë me kusht nuk do të ekzekutohet, nëse në periudhën një vjeçare, e akuzuara Halilaj nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Arben Mustafaj tha se e pandehura obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale, në shumën totale prej 50 euro, kurse e dëmtuara do të udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil.

Aktgjykimi ndaj saj është shpallur nga gjykatësi, Arben Mustafaj, pasi që e akuzuara paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet, duke shprehur keqardhje për rastin.

“Tani unë më nuk banoj në atë shtëpi. Atëherë e kam bërë atë veprim ngase nuk kemi pas mundësi të paguajmë rrymën elektrike, pasi që askush në familje nuk punon”, tha e akuzuara Halilaj

Paraprakisht, prokurori Arben Hoti, ka bërë përmirësimin e aktakuzës, duke thënë se në vend të nenit 320 të kodit të vjetër penal, duhet të jetë neni 314 i kodit të ri penal.

“Pajtohem me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarës, i cili pranim ka mbështetje në provat që gjenden në shkresa e lëndës”, ka thënë prokurori Hoti.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë më 14 dhjetor 2020, ndaj të akuzuarës Nexhmije Halilaj.

Sipas aktakuzës, e pandehura më parë e gjer më 17 maj 2019 në fshatin Lubozhdë, Komuna e Istogut ka siguruar shërbime të energjisë elektrike të cilat mundësohen vetëm me shkëmbim të kompensimit, duke shmangur pagesën për këto shërbime.

Në aktakuzë thuhet se, pas kontrollit të bërë nga ana e zyrtarëve të KEDS-it, kanë konstatuar se e pandehura është kyçur direkt në rrjetin elektrik, me kabllo nga shtylla në shtëpi, duke anashkaluar njehsorin elektrik.

Gjithnjë sipas aktakuzës, e pandehura me veprimin e saj, të dëmtuarës KEDS, i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 556.76 euro. /BetimipërDrejtësi