Pranon fajësinë, dënohet me kusht dhe me gjobë i akuzuari për shitjen e elektroshokut

Raporton: Mirvet THAQI

Prishtinë – Gjashtë muaj burgim me kusht dhe dënim më gjobë prej 300 eurosh, ka shqiptuar Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj V.B, i akuzuar se ka kryer veprën penale “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve ose materieve plasëse”.

Por, dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda afatit prej një viti.

Gjithashtu, ai është detyruar që në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 30 eurosh.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të hënën, në seancën e shqyrtimit fillestar, nga ana e kryetarit të trupit gjykues, gjykatëses Valbona Musliu- Selimaj, pasi i akuzuari e ka pranuar fajësinë për kryerjen e kësaj vepre penale.

Ndryshe, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Armend Hamiti, i akuzuari V.B e ka pranuar fajësinë në mënyrë të plotë.

Ai ka kërkuar falje për veprimin e kryer dhe se në momentin që ka kuptuar se një veprim i tillë ka qenë i paligjshëm, sipas tij, ka qenë i vetëdijshëm për pasojat që vijnë si rezultat i tyre.

“Banoj në Kanada dhe se në Kosovë jam me banim të përkohshëm. Është hera e parë që bie në kundërshtim me ligjin dhe se jam penduar për veprën që e kam kryer. Nuk e kam ditur që një veprim i tillë ka qenë i ndaluar sipas ligjeve të Kosovës. Premtoj se nuk do të përsëris veprime të tilla në të ardhmen. Prezenca e elektroshokut, ka qenë siç e kam theksuar edhe në deklaratë para policisë, vetëm për vetëmbrojtje e jo për diçka tjetër”, ka deklaruar i akuzuari.

Tutje, i akuzuari B. kishte vendosur që të mbrohet vetë, pa ndihmën e mbrojtësit.

Me pranimin e fajësisë të bërë nga i akuzuari është pajtuar edhe prokurori i çështjes Hamiti, i cili tutje deklaroi se ky pranimi i fajësisë është në përputhje të plotë me provat e prezantuara në aktakuzë dhe se i akuzuari është njoftuar nga ana e gjykatës me përfitimet dhe pasojat e një pranimi të tillë.

Hamiti i propozoi gjykatës që ky pranim fajësie të miratohet dhe që i akuzuari B. të shpallet fajtor sipas ligjit, mirëpo kërkoi nga gjykata që me rastin e matjes së dënimit, të marrë parasysh si rrethanë lehtësuese faktin që ai në fazën e hetimit e ka pranuar fajësinë.

Pas kësaj, gjykatësja Valbona Musliu-Selimi konstatoi se janë plotësuar kushtet ligjore për shpalljen e aktgjykimit, pasi pranimi i fajësisë është bërë konform dispozitave ligjore në fuqi dhe si i tillë ka përkrahjen edhe të prokurorit të rastit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari V.B, akuzohet se më 11 shtator 2013, në faqen e reklamave, në rrjetin social të internetit “merr jep”, me qëllim shitjeje ka lajmëruar shpalljen publike “shes pajisje me vetëmbrojtje elektroshok apo Stungun”, ku ka precizuar edhe çmimin e shitjes prej 120 eurosh duke përshkruar edhe forma të ndryshme të tyre si të: të telefonit mobil, në formë baterie dhe drejtkëndëshe, të cilat më parë i kishte blerë në tregun e gjelbër në Fushë Kosovë.

Prokuroria pretendon se pas kontrollit të shtëpisë së të akuzuarit B. nga ana e zyrtarëve policorë, në të janë gjetur dhe sekuestruar një pajisje elektroshok në formë të telefonit celular dhe një sprej i përbërë me lëndë djegëse.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon të akuzuarin V.B se ka kryer veprën penale “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve ose materieve plasëse” nga neni 372 par.1 të KPK-së.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë