Pranon fajësinë, dënohet me kusht dhe gjobë i akuzuari për kultivim narkotikësh

Amiri
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Korrik 8, 2019

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë, të hënën, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me një vit burgim me kusht dhe 400 euro gjobë, të akuzuarin për prodhim dhe përpunim të narkotikëve, Izet Peci.

Sipas gjykatësit Avni Mehmeti, i akuzuari Peci, dënimin me burgim nuk do ta mbajë nëse në periudhë kohore prej dy vitesh nuk kryen vepër tjetër penale.

Kurse, gjobën ai është i obliguar ta paguajë brenda tre muajve nga plotfuqishmëria e aktgjykimit, ndërkaq nëse nuk e paguan atë, dënimi me gjobë do t`i zëvendësohet në dënim me burgim.

Krahas kësaj gjykata si dënim plotësues i ka konfiskuar gjashtë bimë narkotike, e që ka urdhëruar të shkatërrohen.

Po ashtu, gjykata e ka obliguar të pandehurin që në emër të shpenzime procedurale të paguajë 20 euro, në emër të paushallit gjyqësor 30 euro, ndërsa në emër të kompensimit të viktimave shumën prej 50 euro.

Kurse, për veprën tjetër penale armëmbajtje pa leje, gjykatësi, Avni Mehmeti, ka refuzuar aktakuzën ndaj të akuzuarit Peci, për shkak se sipas tij, e njëjta ishte përfshirë në amnisti.

Lidhur me këtë, gjykata ka urdhëruar konfiskimin e armës dhe shkatërrimin e saj, ndërsa për këtë ka liruar të pandehurin nga shpenzimet procedurale.

Këtë aktgjykim, gjykatësi Mehmeti, e ka shpallur pasi fillimisht në seancën e shqyrtimit fillestar, i pandehuri Peci, pas konsultimit me mbrojtësin e tij, të caktuar sipas detyrës zyrtare, avokatin Bedri Miftari, ka pranuar fajësinë për pikën e parë të aktakuzës.

Sa i përket dënimit, gjykatësi Mehmeti, ka deklaruar se si rrethanë lehtësuese ka marrë parasysh, pranimin e fajësisë, kohën e gjatë të kaluar nga kryerja e veprës penale, pozitën e mbajtësit të familjes si dhe të kaluarën e pastër kriminale.

Gjykatësi Mehmeti, ka deklaruar se kërkesë pasurore juridike nuk ka pasur, ndërsa ka njoftuar të pandehurin me të drejtën e tij për ankesë sa i përket lartësisë së dënimit.

Paraprakisht, gjatë kësaj seance prokurori Ismet Ujkani, ka përmirësuar pikën 1 të aktakuzës, ashtu që në vend të fjalës “1.80 kg”, ka ndërruar me fjalën “1 kg e 80 gr”.

Gjithashtu, prokurori Ujkani ka hequr dorë prej ndjekjes për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Ndryshe, ish- Prokuroria Publike e Qarkut, më 11 mars 2011, kishte ngritur aktakuzë ndaj Izet Pecit.

Sipas pikës së parë të aktakuzës, i pandehuri Peci, në ditën e pacaktuar të muajit shkurt të vitit 2010, në bahçen e tij, në fshatin Zhashë, në Zveçan, kishte mbjellë gjashtë bimë të kanabisit, të cilat i kishte rritur në gjatësi prej 1.6 cm, e që me 12 tetor 2010, i ishin gjetur dhe konfiskuar nga policia.

Sipas aktakuzës, pas ekzaminimit laboratorik ishte konstatuar se në substancën bimore kishte qenë prezent kanabisi me përmbajtje të THC,  me peshë 1 kg e 80 gr.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve të rrezikshëm dhe i substancave psiko-tropike”, nga neni 230 par. 1 të KPK-së.

Sipas pikës të dytë të aktakuzës, i pandehuri Peci, që nga viti 1999 e deri me 12 tetor 2010, në shtëpinë e tij, kishte mbajtur në pronësi pa leje revolen e markës “Bereta”, të cal. 7.65 mm, me një fishekë.

Me këtë, Peci akuzohej se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontrolle, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”, nga neni 238 të KPK-së. /BetimipërDrejtësi