Pranon fajësinë, dënohet me gjobë polici kufitar i akuzuar për korrupsion

image0
Author

Raporton: Liridon PNISHI

Shtator 11, 2020

Prizren – Gjykata Themelore në Prizren, të premten, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Avni Ajdinit, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ai u dënua me 1,500 euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së premtes, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Mehdi Sefa, i akuzuari deklaroi se e pranon fajësinë dhe se, me vullnetin e lirë, ka arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë Themelore në Prizren.

Prokurori Sefa deklaroi se i akuzuari e ka pranuar fajësinë për atë që është përshkuar në dispozitiv të aktakuzës, pa asnjë presion dhe duke i kuptuar pasojat dhe benifitet e pranimit të fajësisë.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Hajrip Krasniqi, deklaroi se klienti i tij e ka bërë pranimin e fajësisë në mënyrë të vullnetshme, duke e njoftuar për favoret dhe mos mundësinë e ankimimit të aktgjykimit eventual pas pranimit të marrëveshjes nga ana e Gjykatës.

Pas deklarimeve të palëve, gjykatësja Ajser Skenderi mori aktvendim me të cilin pranoi marrëveshjen e pranimit të fajësisë të arritur në mes të prokurorit Sefa dhe të akuzuarit Ajdini.

E njëjta shpalli aktgjykimin dënues, me të cilin i akuzuari fillimisht u dënua me burgim efektiv prej 5 muajve.

Mirëpo, avokati Krasniqi dhe i akuzuari i propozuan gjykatës që dënimi i shqiptuar me burgim të zëvendësohet me dënim me gjobë, në lartësi të rekomanduar si në marrëveshjen të rekomanduar dhe të nënshkruar nga prokurori.

Gjykatësja  aprovoi propozimin e palës mbrojtëse, duke ia zëvendësuar dënimin me burgim në dënim me gjobë në shumë prej 1,500 euro, të cilin dënim i akuzuari është i obliguar ta paguaj në afat prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Po ashtu, i akuzuari obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 50 eurove, si dhe 50 euro në emër të programit për kompensimin e viktimave të krimit.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 29 tetor 2019, i pandehuri Avni Ajdini akuzohet për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ai akuzohet se më 5 qershor 2019, rreth orës 12:53, në pikën kufitare të Vërmicës, si zyrtar policor, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka lejuar veturën e markës “Opel Zafira”, e cila drejtohej nga Enkeled Cala, së bashku me persona të huaj, punëtorë teknik të Ambasadës së Kuvajtit në Shqipëri të hyjë në Republikën e Kosovës, në kundërshtim me procedurat kufitare.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Ajdini u ka mundësuar këtyre personave të hyjnë në Republikën e Kosovës pa dokumentacion adekuat të udhëtimit, pa pasaportë dhe pa vizë, duke mos kryer kontrollin kufitar dhe duke mos bërë verifikimin e tyre sipas ligjeve të Kosovës.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi