Pranon fajësinë, dënohet me gjobë i akuzuari për uzurpim prone

20181205_111803 1
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Prill 15, 2019

Istog – Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, e ka dënuar me 300 euro gjobë të akuzuarin për uzurpim të pronës së paluajtshme, Arben Gorçaj.

Gjykatësi Gani Rugova tha se i pandehuri obligohet që të paguajë shpenzimet procedurale në shumën totale prej 60 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Arben Gorçaj para shpalljes së aktgjykimit, ka pranuar fajësinë për veprën për të cilën akuzohet sipas aktakuzës, duke shprehur keqardhje për rastin e ndodhur.

“Tani kam arrit marrëveshje me të dëmtuarën për shfrytëzimin e banesës. Në të ardhmen posa të krijohen kushtet ligjore do ta blej të njëjtën banesë nga e dëmtuara”, ka thënë i pandehuri.

Ndryshe, gjykatësi Gani Rugova tha se i akuzuari nuk ka bërë kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

“I akuzuari pranë gjykatës vetëm ka paraqitur një parashtresë lidhur me një marrëveshje me të dëmtuarën për tërheqjen penale”, ka thënë gjykatësi Rugova.

Ndërkaq, prokurori Arben Hoti lidhur më këtë ka thënë se e kundërshton një marrëveshje të tillë, të lidhur ndërmjet të pandehurit dhe të dëmtuarës.

“Vepra penale që të akuzuarit i vihet në barrë ndiqet sipas detyrës zyrtare. Deklarata e të dëmtuarës nuk është provë për tërheqje të aktakuzës, por mund të paraqitet vetëm si rrethanë e ndërprerjes së kohës së kryerjes së veprës”, ka thënë prokurori Hoti.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Pejë të ngritur më 15 shkurt 2019, thuhet se i pandehuri Gorçaj, që nga viti 1999 e gjerë më sot, në kohë të pacaktuar, në fshatin Banjë të Komunës së Istogut, ka uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme pronën e paluajtshme të të dëmtuarës Ruzhica Koriqanin.

Aktakuza precizon se, i pandehuri ka uzurpuar banesën në sipërfaqe prej 70 metrave katror, e që në bazë të vendimit të HPD-HPCC/D/108/2004 të 13 shkurtit 2004 e gëzon e dëmtuara Koriqanin.